Ministria e Mjedisit ndan mjete financiare për parqet nacionale “Mali Sharr” dhe “Pelister”

Me propozim të zëvendëskryeministrit të parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, në mbledhjen e sotme Qeveria miratoi ndarjen e mjeteve financiare për dy parqet nacionale “Mali Sharr” dhe “Pelister”, të cilat po ballafaqohen me probleme financiare vite me radhë.
Në mbledhjen e sotme, Qeveria miratoi ndarjen e mjeteve financiare për përkrahjen e dy parqeve kombëtare – “Mali Sharr” dhe “Pelister” – të cilat prej vitesh përballen me sfida të theksuara financiare.
Kjo mbështetje financiare ka për qëllim forcimin e kapaciteteve institucionale dhe zhvillimin e qëndrueshëm të këtyre zonave të mbrojtura. Bazuar në kërkesat e paraqitura nga të dy ndërmarrjet publike që menaxhojnë parqet, me ribalancin e buxhetit për vitin 2025, Qeveria ka ndarë 10 milionë denarë për NP “Mali Sharr” dhe 12.6 milionë denarë për NP “Pelister”, në formë subvencionesh kapitale.
Fondet do të shfrytëzohen për:
Mbështetjen e obligimeve të papaguara ndaj të punësuarve dhe bashkëpunëtorëve të projekteve;
Sigurimin e pajisjeve moderne për parashikim afatshkurtër të motit dhe monitorimin e rreziqeve nga zjarret pyjore dhe përmbytjet;
Zbatimin e teknikave inovative për mbrojtjen dhe gatishmërinë e qytetarëve në kuadër të projektit PREVENT, që financohet nga programi IPA 2.
Përmes kësaj mbështetjeje, Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor synon të përmirësojë menaxhimin e qëndrueshëm të parqeve kombëtare, të nxisë zhvillimin e eko-turizmit dhe të avancojë ruajtjen e trashëgimisë natyrore dhe biodiversitetit në këto zona me rëndësi të veçantë kombëtare.
Parqet kombëtare “Mali Sharr” dhe “Pelister” përfaqësojnë jo vetëm pasuri të çmuara natyrore, por edhe destinacione të rëndësishme turistike. Ato luajnë një rol kyç në edukimin mjedisor, zhvillimin rural dhe promovimin e vlerave të trashëgimisë natyrore të vendit.