Ministri palestinez: Izra’eli ka bom’barduar 188 lokacione historike në Ga’za
Ministri i Turizmit dhe Antikiteteve të Palestinës, Hani al-Hayek tha se ushtria izraelite ka shënjestruar 188 lokacione arkeologjike në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023, raporton Anadolu.
Al-Hayek foli në Simpoziumin mbi Shkatërrimin e Trashëgimisë Kulturore në Gaza, organizuar në Ramallah me mbështetjen e Kombeve të Bashkuara (OKB). “Si rezultat i sulmeve të Izraelit që nga 7 tetori 2023, 188 lokacione arkeologjike në Rripin e Gazës u goditën dhe u shkatërruan plotësisht ose pjesërisht”, tha ai.
Sipas tij, Izraeli kishte në shënjestër xhamitë dhe kishat historike ndërsa muzeu, i cili strehon shumë objekte historike, ishte gjithashtu objekt i sulmeve izraelite.
Ai tha se Izraeli, për të fshirë historinë e popullit palestinez, bombardoi vendet arkeologjike dhe vendet historike, të cilat janë pjesë e rëndësishme e identitetit kombëtar të popullit palestinez dhe dëshmi e historisë së palestinezëve në këto troje.
Ministri palestinez thekson se Izraeli po përpiqet të ndryshojë strukturën demografike dhe historike në Gaza. “Qëllimi i Izraelit pushtues është të shkatërrojë gjithçka palestineze, duke filluar nga njerëzit e deri te gurët”, tha ai.
Përveç Al-Hayek, në simpozium folën edhe shumë ministra dhe zyrtarë palestinezë.
Sipas të dhënave nga Zyra për media e qeverisë në Gaza, 206 nga 325 objekte arkeologjike në Rripin e Gazës janë shkatërruar pjesërisht ose plotësisht që nga 7 tetori për shkak të sulmeve izraelite.
Ndër strukturat historike që janë objektivat e sulmeve izraelite, xhamia e tretë më e madhe në Palestinë, “Al-Omeri”, që daton prej 1.400 vitesh dhe kisha më e vjetër në Gaza dhe e treta më e vjetër në botë, “Shën Porfiri” e ndërtuar në shekullin V.
Në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023 janë vrarë 44.235 palestinezë, përfshirë 17.492 fëmijë dhe 11.979 gra ndërsa 104.638 persona tjerë u plagosën.
Raportohet se ende ka mijëra të vdekur nën rrënoja, infrastruktura civile po shkatërrohet duke synuar spitalet dhe institucionet arsimore ku njerëzit ishin strehuar.