Ministri izraelit: Sulmi i Iranit ndaj spitalit është krim!

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Sharren Haskel, ka dënuar sulmin e Iranit ndaj Spitalit Soroka, duke e cilësuar atë si “të qëllimshëm” dhe “kriminal”. Përmes një postimi në rrjetin social X, Haskel thekson se vendi i goditur nuk është një objekt ushtarak, por një spital – qendra kryesore mjekësore për të gjithë rajonin Negev në Izrael.
Në postimin e tij, Haskel ndan edhe një video që duket se dokumenton dëmet brenda spitalit, duke bërë thirrje që “bota duhet të flasë hapur” për këtë akt.
Ndërkohë, shërbimi i urgjencës izraelit Magen David Adom (MDA) raporton se paramedikët po trajtojnë të paktën 32 persona të lënduar si pasojë e raundit të fundit të sulmeve ajrore iraniane. Nga të lënduarit, dy persona – një burrë rreth 80 vjeç dhe një grua rreth 70 vjeç – janë në gjendje të rëndë dhe po dërgohen në spital, ndërsa 30 të tjerë kanë pësuar dëmtime të lehta, kryesisht nga shpërthimet dhe shrapnelët.
Në një raport të veçantë, ndihmësmjeku i MDA-së, Yossi Shilo, bëri me dije se ekipi i tij ka konstatuar “shkatërrim të gjerë” në një kantier ndërtimi pranë zonës së sulmit. Ai shtoi se një grua rreth 60 vjeç u dërgua në spital në “gjendje të rëndë, por të qëndrueshme”.