Ministri estonez, Tsakhna-Gjuriqit: E papranueshme të shtrëngosh duart me një kriminel lufte
Fushata e Serbisë për të “paralajmëruar“ gjendjen e rëndë siç thotë presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, të serbëve në Kosovë duket që ka filluar.
Në një vizitë të fundit të Ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriq, në Estoni, ai është takuar me homologun e tij, Margu Tsakhna të cilin Gjuriq tha se e informoi për “situatën në Kosovë dhe veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara të Kurtit”
“E informova homologun tim për situatën në Kosovë, dhe veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara të Kurtit, duke theksuar se integriteti territorial dhe sovraniteti i Serbisë janë po aq të vlefshëm sa ai i çdo vendi tjetër”, shkroi Gjuriq për vizitën, transmeton lajmi.net.
E në anën tjetër, Tsahknani ia kujtoi atij se për Estoninë, është e papranueshme shtrëngimi i duarve “me një kriminel lufte”.
Kështu ai iu referua lidhjeve të forta që Serbia e Vuçiqit i ka me presidentin rus, Vladimir Putin.
“E mirëprita Marko Gjuriqin dhe e theksova se është e papranueshme të shtrëngosh duart me një kriminel lufte që po përpiqet që të minojë sigurinë e Evropës dhe sovranitetin e Ukrainës”, shkroi Tsahkna.
Tutje, ai tha se Serbia, si kandidate për BE, pritet t’i përshtatë politikat me BE-në, e po ashtu, i njëjti shprehi edhe mbështetjen për dialogun mes Serbisë e Kosovës.