Mickoski zbuloi ministritë që do të marrë VMRO, VLEN dhe ZNAM, jozyrtarisht këta janë emrat e ministrave të rinj
Rikonstruimi i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut sonte do të hyjë në fazën përfundimtare, ndërsa sonte do të bëhen publikë emrat e ministrave që do të marrin drejtimin e resorëve të rinj. Kryeministri Hristijan Mickoski në një paraqitje për TV Telma i bëri të ditur disa ministri që do t’i takojnë VMRO-së dhe partnerve të koalicionit. Ai tha se VMRO-DPMNE do të udhëheqë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë. Ndërkohë, koalicioni VLEN do të marrë drejtimin e Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive dhe Ministrisë së Kulturës, ndërsa ZNAM do të drejtojë Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave.
“VMRO-DPMNE në këtë rekonstruim do të marrë dy resorë, që deri tani ishin të partnerëve të koalicionit. Ata janë Shëndetësia dhe Politika Sociale dhe Demografia. Partneri i koalicionit VLEN di t’i marrë resorët e Kulturës, Ministrinë për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive dhe Drejtësinë. Ministria e Bujqësisë do të shkojë në duart e partnerit të koalicionit ZNAM. Ata do të kenë edhe një zëvendësministër shtesë”, tha Mickoski.
Jozyrtarisht, për ministër të ri të Shëndetësisë përmendet emri i Sasho Klekovskit, i cili aktualisht drejton Fondin për Sigurim Shëndetësor. Nëse ky ndryshim realizohet, në krye të Fondit pritet të emërohet Zllatko Perinski, ndërsa Ivan Stoilkoviq pritet të marrë postin e ministrit të Vetëqeverisjes Lokale.
Po ashtu, Gjoko Velkovski përflitet si kandidat për të drejtuar Ministrinë e Politikës Sociale, ndërsa në Ministrinë e Drejtësisë emri që përmendet është ai i profesorit universitar Jeton Shasivari. Në resorin e Kulturës pritet gjithashtu të ketë ndryshim, ndërsa Bekim Sali, sipas informacionvee, do të vazhdojë të ushtrojë detyrën e ministrit për Çështje Evropiane.
Nga ana tjetër, për Ministrinë e Bujqësisë si kandidat kryesor përmendet Borçe Serafimovski, i cili aktualisht mban funksionin e sekretarit shtetëror në këtë institucion.
Procedura pritet të nisë me miratimin e marrëveshjes nga organet partiake, për t’u pasuar nga dorëzimi i propozimeve në Kuvend nga kryeministri. Emrat e propozuar më pas do t’i nënshtrohen votimit në seancë plenare.
Deri në konfirmimin zyrtar, të gjitha këto informacione mbeten në nivel jozyrtar.

