Mickoski: Nga e hëna pritet ulje deri në 7 denarë për litër e derivateve të naftës

Mickoski: Nga e hëna pritet ulje deri në 7 denarë për litër e derivateve të naftës

Kryeministri Hristijan Mickoski ka paralajmëruar ulje të ndjeshme të çmimeve të derivateve të naftës nga e hëna, kur pritet që Komisioni Rregullator për Energjetikë të shpallë çmimet e reja të karburanteve.

Sipas Mickoskit, pas stabilizimit të situatës në Lindjen e Mesme, pritet që çmimi i benzinës të ulet për rreth 4 denarë për litër, ndërsa ai i dizelit për rreth 7 denarë.

Ai theksoi se zhvillimet e fundit në tregjet globale të naftës, përfshirë sinjalet për një marrëveshje mes palëve të përfshira në konflikt në Gjirin Persik, kanë ndikuar në pritjet për stabilizim të çmimeve.

“Masat në parim përfunduan. Me njoftimet për marrëveshjen e arritur, kushtimisht thënë, mes palëve të përfshira në konflikt në Gjirin Persik, në këtë rast SHBA-së dhe Iranit, ndërsa sot vazhdojnë negociatat përfundimtare për finalizimin e asaj marrëveshjeje, vlerësoj se tregu do të stabilizohet,” deklaroi Mickoski.

Ai shtoi se edhe nëse hapet Ngushtica e Hormuzit, efekti në tregje nuk do të jetë i menjëhershëm, pasi transporti i cisternave kërkon kohë për të arritur në destinacionet përkatëse.

Sipas tij, duke marrë parasysh këto zhvillime dhe faktin se në procesin e paqes janë përfshirë edhe aktorë të tjerë rajonalë, pritet që situata të qetësohet dhe të sjellë stabilizim të çmimeve të naftës në periudhën në vijim.

MARKETING