Mickoski në Istanbul: Turqia është miku ynë më i rëndësishëm ekonomik dhe tregtar

Mickoski në Istanbul: Turqia është miku ynë më i rëndësishëm ekonomik dhe tregtar

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, pas takimit me presidentin turk, Recep Tayyip Erdoğan, ka lavdëruar marrëdhëniet e vendit të tij me Türkiyen, raporton Anadolu.

Kryeministri Mickoski u prit në takim nga presidenti Erdoğan në zyrën presidenciale në Dolmabahçe në Istanbul. Në konferencën e përbashkët për media, Mickoski takimin e tij me presidentin turk e quajti “domethënës dhe konstruktiv”.

“Ky takim është konfirmim i miqësisë tradicionale, partneritetit të fortë dhe bashkëpunimit strategjik midis dy vendeve”, tha Micskoski.

Mickoski tha se vendi i tij me Türkiyen ka “shumë elementë të përbashkët në kulturë, traditë, si dhe interesa të përbashkëta dhe marrëdhënie të shkëlqyera mes popullit maqedonas dhe turk”.

Në këtë takim, tha Mickoski, është biseduar për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe në disa sfera, siç tha ai, “me theks të veçantë në bashkëpunimin ekonomik, investime dhe tregti”.

“Türkiye është miku ynë më i rëndësishëm ekonomik dhe tregtar, por edhe një vend i fortë që ka ndikim shumë të madh në rajon dhe përkushtimi i përbashkët është që të rriten investimet turke në Maqedoninë e Veriut dhe të krijohen mundësi të reja për kompanitë maqedonase në tregun turk”, tha Mickoski.

Ai gjithashtu theksoi se Maqedonia e Veriut dhe Türkiye, si aleate të NATO-s, prioritet e kanë stabilitetin dhe sigurinë në rajon.

“Jemi të përkushtuar si shtet për ndërtimin e një partneriteti të fortë dhe konfirmimin e miqësisë maqedonaso-turke në nivel ekonomik, politik dhe kulturor”, tha ai.

Më tej, Mickoski pohoi marrëdhëniet e mira midis dy popujve.

“Tek ne, komuniteti turk është pjesë besnike e shoqërisë maqedonase, ashtu siç komuniteti maqedonas në Türkiye është një pjesë e rëndësishme e zhvillimit të Republikës Turke”, u shpreh ai.

Para konferencës për media, dy liderët nënshkruan deklaratë të përbashkët politike për krijimin e Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të lartë midis dy vendeve.

MARKETING