Mickoski: Burime të reja të gazit natyror, furnizim i qëndrueshëm dhe çmime më të ulëta për qytetarët

Po lidhemi me tubacionet e gazit të fqinjëve tanë, që do të na bëjë një udhëkryq rajonal të energjisë, që do të thotë më shumë zgjedhje, më shumë stabilitet dhe shpenzime më të ulëta, ndërsa vendi nuk do të jetë më në fund të rrjetit, por në zemër të rrjedhës rajonale energjetike, tha sot kryeministri Hristijan Mickoski në fillimin e ndërtitmit të interkonektorit të gazit me Greqinë.
Mickoski theksoi se interkonektori do të sjellë burime të reja të gazit natyror, furnizim të qëndrueshëm për industrinë dhe amvisëritë, çmime më të ulëta për qytetarët, konkurrencë më të madhe për kompanitë dhe një porosi të fuqishme se më në fund po bëhemi pjesë e rrjetit energjetik evropian.
“Do të ndërtojmë një gazsjellës 66.7 kilometrash në territorin e Maqedonisë së Veriut, me tuba me diametër prej 700 milimetrash. Kapaciteti fillestar është 1.5 miliardë metra kub gaz në vit, i cili mund të rritet në 3 miliardë. Është energji për rritje. Është karburant për ekonominë. Është siguri për të ardhmen. Vlera e përgjithëshme e projektit është rreth 3.7 miliardë denarë, ose rreth 60 milionë euro. Me mbështetjen e këtij projekti nga Banka Evropiane e Investimeve, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Bashkimi Evropian, tregojmë se mund të bëjmë shumë më tepër”, vlerësoi kryeministri.
Ai vlerësoi se po fillon një periudhe e re, më e sigurt nga ana energjetike, ekonomikisht më efikase dhe strategjikisht më fitimprurëse për të gjithë ne.
“Ky nuk është vetëm një investim në tuba dhe beton, por një kontribut tjetër i rëndësishëm për pavarësinë dhe stabilitetin energjetik të vendit, për zhvillimin e tij të përgjithshëm ekonomik dhe për të ardhmen e tij të begatë. Përmes realizimit të këtij projekti, si dhe lidhjeve të njoftuara me sistemet e tubacioneve të gazit të fqinjëve tanë të tjerë, po bëhemi një udhëkryq i rëndësishëm energjetik, gjë e cila pres që do të sjellë përfitime konkrete për të gjithë rajonin, dhe mbi të gjitha për qytetarët e Maqedonisë dhe ekonominë vendore. Kjo që po bëjmë sot nuk është simbolikë. Ky është një ndryshim themelor. Kjo është dëshmi se, kur ia nisim punës, kur kemi një vizion dhe kur sundon përgjegjësia – çdo gjë mund të bëhet”, tha Mickoski.
Ky projekt, tregon, nuk është një ide e re, por deri më tani ka mbetur vetëm si ide. “Edhe pse ishte premtuar më parë, nuk u nis kurrë. Prandaj, sot nuk po bëjmë një spektakël për të mashtruar njerëzit, por për të treguar se po punojmë me përgjegjësi, këmbëngulje dhe qëllime të vërteta – rezultatet po arrijnë. Dhe kjo është vetëm një pjesë e pamjes më të madhe. Po lidhemi me tubacionet e gazit të fqinjëve tanë, që do ta bëjë një udhëkryq rajonal të energjisë”, theksoi kryeministri.
Ndërtimi i interkonektorit, siç theksoi ambasadorja e SHBA-së, Anxhela Ageler, është një projekt i shumëpritur që demonstron pavarësi dhe i forcon lidhjet në fushën e energjisë dhe zhvillimit ekonomik.
“Një investim strategjik në sigurinë, prosperitetin dhe sovranitetin. Është e rëndësishme të bëhet diversifikimi energjetik. E rëndësishme është bashkëpunimi dhe partneriteti rajonal. Si prodhuesi më i madh i LNG-së, SHBA-ja dëshiron që gazi ynë të transmetohet përmes këtij gazsjellësi së shpejti. Dëshirojmë të shohim siguri ekonomike, siguri energjetike dhe zhvillim rajonal që ky rrjedhë do të sjellë për të gjithë ne. Partneritetet me miqtë dhe fqinjët po dëshmojnë se janë shumë më tepër sesa manovra burokratike apo politike”, porositi Ageler.
Kryerësi i punimeve, kompania nga Kumanova “Rapid bild”, duhet t’i përfundojë punët brenda 22 muajsh, gjegjësisht inspektorati të jetë gati në vitin 2027. Nga pala greke, interkonektori është me gjatësi prej 123 kilometrash dhe është pothuajse i përfunduar.