Mexhiti uron Justina Shiroka Pulën: Zgjedhja e saj hap i rëndësishëm për Kosovën

Mexhiti uron Justina Shiroka Pulën: Zgjedhja e saj hap i rëndësishëm për Kosovën

Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka uruar Justina Shiroka Pulën për zgjedhjen në postin e presidentes së Republikës së Kosovës.

MARKETING

Shik.mk

Në urimin e tij, Mexhiti e ka vlerësuar figurën e Shiroka Pulës, duke e cilësuar si një intelektuale të dëshmuar dhe duke theksuar kontributin e saj në fushën akademike dhe ekonomike.

“Presidenten e re të Kosovës, akademiken Justina Shiroka Pula, e njohim përmes kontributit të saj intelektual dhe librave të saj në fushën e ekonomisë. Është një intelektuale e dëshmuar, dhe zgjedhja e saj nderon jo vetëm institucionin e Presidentit, por gjithë botën akademike”, ka shkruar Mexhiti.

Sipas tij, zgjedhja e Shiroka Pulës përbën një hap të rëndësishëm për Kosovën, veçanërisht në drejtim të forcimit të stabilitetit institucional dhe politik.

“Zgjedhja e Justina Shiroka Pulës është një hap i rëndësishëm për Kosovën, për forcimin e stabilitetit institucional dhe politik dhe për një frymë të re përgjegjësie në një kohë sfiduese për shtetin e Kosovës dhe për krerët e UÇK-së, të cilët po përballen me një proces të padrejtë gjyqësor”, është shprehur ai.

Mexhiti ka vlerësuar gjithashtu konsensusin politik të arritur, duke e cilësuar atë si dëshmi të pjekurisë politike dhe të vullnetit për tejkalimin e ngërçeve institucionale.

Në këtë kontekst, ai ka përgëzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për atë që e ka cilësuar si “maturi dhe përgjegjësi” në një moment të rëndësishëm për vendin.

“Kosova ka nevojë për institucione të forta, stabilitet dhe unitet politik”, ka përfunduar Mexhiti.

MARKETING