Mexhiti: Si bir i Çairit, do ta mbështes Bit Pazarin me të gjitha kapacitetet

Mexhiti: Si bir i Çairit, do ta mbështes Bit Pazarin me të gjitha kapacitetet

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, njëherësh kandidat për kryetar të Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, zhvilloi sot një takim me tregtarët e Bit Pazarit, një nga zonat më të njohura dhe me peshë historike e ekonomike në Shkup.

Gjatë bashkëbisedimit me tregtarët, Mexhiti vlerësoi rolin e pazareve dhe bizneseve lokale në zhvillimin e komunës. Ai theksoi se, ndonëse Çairi nuk ka zonë të madhe industriale apo kompani të mëdha, ai dallohet për një ekosistem të gjallë të bizneseve të vogla dhe të mesme, si dhe për trashëgiminë kulturore që ofrojnë Çarshia e Vjetër dhe Bit Pazari.

“Bit Pazari ka qenë dhe mbetet një shtyllë kyçe e mirëqenies ekonomike të shumë familjeve në Çair dhe më gjerë,” u shpreh Mexhiti. Ai shtoi se bashkë me Çarshinë e Vjetër dhe Kalanë e Shkupit, këto zona duhet të funksionojnë si një paketë e integruar turistike, duke i ofruar vizitorëve një përvojë të pasur kulturore dhe historike.

Në takim, Mexhiti garantoi mbështetje institucionale për tregtarët dhe u zotua se do të ndërmerren masa konkrete për t’i mbrojtur ata nga konkurrenca jolojale.

“Si një djalë i lindur dhe rritur në Çair, e ndjej se Bit Pazari është vlerë dhe krenari për çdo shkupjan. Prandaj, angazhimi im është që institucionalisht ta mbështesim dhe ta zhvillojmë këtë pasuri historike, ekonomike dhe kulturore,” përfundoi Mexhiti.

MARKETING