Mexhiti: Nuk jam kundër zgjedhjeve të parakohshme, por ato janë të panevojshme

Mexhiti: Nuk jam kundër zgjedhjeve të parakohshme, por ato janë të panevojshme

Zëvendëskryeministri i parë Izet Mexhiti deklaroi se nga vizita në SHBA, me rastin e inaugurimit të presidentit Donald Tramp, delegacioni qeveritar është kthyer me “pritje pozitive për intensifikimin e Procesit të integrimit evropian”.

“Ajo është Amerika. Ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të fituar ndikim atje, sepse shumë gjëra vendosen atje. Jam optimist se kjo do të ndihmojë në zhbllokimin e procesit të integrimit evropian”, tha Mexhiti në emisionin “Samo Intervju” në TV KanaL 5, i pyetur për pritshmëritë e tij nga presidenti amerikan Tramp për zgjidhjen e problemit me integrimit tonë në BE.

Mexhiti tha se gjatë qëndrimit në SHBA ka marrë pjesë në ngjarje dhe takime të rëndësishme, ndërsa lidhur me akuzat e opozitës për ftesën për inaugurim, ai është përgjigjur se ftesat nuk janë të nënshkruara nga Trump, por nga Kongresi amerikan dhe grupet e punës që i ka formuar për atë qëllim.

“Duhet të dëgjojmë se çfarë thoshte BDI-ja gjashtë muaj më parë… se kjo qeveri është pro-ruse, pro-serbe… dhe tani kur shkojmë në inaugurim në SHBA ata thonë diçka tjetër dhe dhe janë kontradiktore me veten e tyre”, tha Mexhiti.

I pyetur nëse koalicioni VLEN qëndron pas qëndrimit të kryeministrit Hristijan Mickoski për ndryshimet shtyra kushtetuese, Mexhiti u përgjigj se “kryeministri kërkon garanci dhe këtu po kërkojmë zgjidhje”. Ai theksoi se kanë qëndrime të ndryshme sa i përket intensitetit dhe dinamikës së zgjidhjes, por e gjithë kjo, siç tha ai, “do të hekuroset në fund të ditës” në një qëndrim të përbashkët të partnerëve në Qeveri.

“Është e rëndësishme që si parti politike të jemi evropianë dhe të gjithë duam dhe punojmë për një zgjidhje. Askush nuk është kundër që bullgarët të jenë në Kushtetutë, por kërkojmë që të gjithë të jenë fitues në këtë proces”, tha zëvendëskryeministri i parë në intervistën.

I pyetur nëse VLEN do të bëhet parti me një lider, siç ishte paralajmëruar në zgjedhjet e fundit, u përgjigj se edhe në zgjedhjet lokale do të dalë si koalicion, duke shtuar “se edhe kështu funksionojmë me sukses”.

“Ne e treguam në zgjedhjet parlamentare, me program dhe fushatë të përbashkët, se jemi pjesë e Qeverisë së bashku dhe nuk e shoh problem që edhe në zgjedhjet lokale VLEN të jetë si ombrellë, me lista dhe kandidatë të përbashkët, ndërsa pas zgjedhjeve me shumë gjasë mund të flitet që VLEN të jetë një parti e vetme”, shtoi Mexhiti, partia e të cilit Lëvizja Demokratike është një nga katër në koalicionin e VLEN.

Ai konsideron se zgjedhjet e parakohshme janë të panevojshme për shkak se Qeveria ka një shumicë stabile, ndërsa deklaratat e BDI-së se do të ketë zgjedhje të parakohshme në të cilat aa do të fitojnë, i konsideron strategji të partisë opozitare për të mbajtur anëtarësimin që po largohet.

“Nuk jam kundër zgjedhjeve të parakohshme, por ato janë të panevojshme. Kjo qeveri ka shumicën më të madhe, dy të tretat në Kuvend dhe është e panatyrshme të shkohet në zgjedhje të parakohshme.. BDI gjatë kohë ka qenë në pushtet dhe ende nuk u besohet. Kjo është strategjia e tyre që njerëzit të mos ikin, kështu që premtojnë se do të kthehen pas tre, gjashtë muajsh dhe japin shpresa të rreme se do të ketë zgjedhje lokale dhe parlamentare. Si sondazhet ashtu edhe të gjitha analizat tregojnë se do të qëndrojnë gjatë në opozitë. Vlen sërish do të ketë fitore bindëse ndaj BDI-së”, tha Mexhiti.

Për ish-partinë e tij, BDI-në, ai tha se “është për keqardhje se ku ishte dhe ku është tani”, se nuk sheh se atje ka proces për reforma dhe se ajo “do të mbetet ashtu siç është”.

Lidhur me Artan Grubin dhe nëse beson se dikush e ka ndihmuar të arratiset, Mexhiti është përgjigjur se BDI ka qenë në pushtet për një kohë të gjatë dhe, siç tha, “sigurisht që kanë ende njerëz në institucione të gatshëm për të tejkaluar autoritetin e tyre”. Ai shtoi se tashmë ka një procedurë në MPB për të hetuar përgjegjësit për vendkalimin kufitar, dhe se Grubi “dikur do të kthehet dhe do të përballet me drejtësinë”.

MARKETING