Mexhiti: Nuk besoj që Taravari do të bashkëpunojë me BDI-në

Në lidhje me përplasjet brenda koalicionit opozitar VLEN, një nga liderët e tij, Izat Mexhiti, deklaroi se shumë shpejt pritet të sqarohet pozicioni i Arben Taravarit dhe i Aleancës për Shqiptarët.
“Sot për nesër presim të kemi një sqarim të qartë nëse Taravari do të vazhdojë të jetë pjesë e VLEN-it,” u shpreh Mexhiti, duke theksuar se vendimi i Aleancës duhet të jetë i qartë dhe pa ekuivok.
“Ata duhet t’i sqarojnë vetes se a do të jenë me VLEN-in ose do të shkojnë me BDI-në”, tha Mexhiti në “ClickPlus” në “TV21”.
Megjithatë, Mexhiti shprehu bindjen se Taravari nuk do të zgjedhë bashkëpunimin me Bashkimin Demokratik për Integrim, duke kujtuar qëndrimin e tij të deritanishëm ndaj kësaj partie.
“Taravari gjithmonë ka qenë antipod i BDI-së, prandaj nuk besoj se do të bashkëpunojë me ta,” deklaroi ai.
Ai shtoi gjithashtu se VLEN i ka bërë një ofertë të favorshme Aleancës për Shqiptarët, duke i dhënë përparësi ndaj partive të tjera.