Mevlan Adili: Ndaj Gostivarit presim rezultat pozitiv
Nesër do të mbyllet gjysmësezoni në Ligën e Parë të futbollit në Maqedoninë e Veriut. Në program janë ndeshjet e xhiros së 18-të, ku do të luhen tre përballje shqiptare.
Shkëndija këtë xhiro pret në Tetovë ekipin e Gostivarit.
Mbrojtësi i Shkëndijës, Mevlan Adili para takimit të nesërm thotë që ekipi kuqezi është i përgatitur fizikisht dhe psiqikisht në maksimum, teksa shpreson që në fund edhe nga kjo ndeshje Shkëndija të dalë me rezultat pozitiv.
“Po duke marrë parasysh se në 4 ndeshjet e fundit kampionale kemi marrë pikë të plota me 4 fitore, mendoj që ekipi është i përgatitur fizikisht dhe psiqikisht në maksimum dhe shpresoj që në fund edhe nga kjo ndeshje të dalim me rezultat pozitiv. Për fat të keq ne e dijmë se si shkoi ndeshja e fundit mes veti Gostivarin në Shkup, por besoj se ndeshja e nesërme është mundësi për të treguar se ai takim ishte vetëm rastësi dhe se ne do t’i mundim në Tetovë. Mendoj se do të jetë një ndeshje mirë e luftuar. Fatkeqësisht nuk do të kemi praninë e tifozëve dhe për këtë ndjejmë keqardhje, por e ndjejmë 100% se ndoshta fizikisht nuk do të jenë në stadium, por me zemër dhe shpirt do të jenë duke na përkrahur si gjithmonë. Shpresoj në fund t’i gëzojmë tifozët tanë, ta gëzojmë veten dhe familjet tona, për të shkuar në pushim me kokë të qetë dhe si lider të renditjes“, u shpreh Adili.
Dueli Shkëndija-Gostivari luhet të dielën në stadiumin e qytetit në Tetovë me fillim në orën 13:00.