Mevlan Ademi: Presidenti Begaj na dha zërin që kërkojmë, Shqipëria qëndron krah studentëve

Mevlan Ademi: Presidenti Begaj na dha zërin që kërkojmë, Shqipëria qëndron krah studentëve

Kryetari i Unionit të Studentëve UEJL, Mevlan Ademi, ka dal me një mesazh publik pas deklaratave të Presidentit të Shqipërisë, duke theksuar mbështetjen e Tiranës zyrtare për studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut.
“Kur bijtë e shqipes hasin në vështirësi, Nëna Shqipëri përgjigjet”, ka shkruar Ademi, duke iu referuar mesazhit të dhënë nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj.

Sipas tij, kreu i shtetit shqiptar dha një mesazh të qartë dhe të fortë se Shqipëria qëndron gjithmonë krah shqiptarëve, por njëkohësisht theksoi se e ardhmja varet edhe nga angazhimi dhe përgjegjësia e vetë të rinjve.

Ademi nënvizoi se në momente kur zëri i studentëve nuk merret sa duhet në konsideratë dhe kur gjuha shqipe trajtohet si problem, Presidenti kujtoi se gjuha dhe identiteti kombëtar nuk janë elementë formalë, por shtyllë themelore dhe aset i patjetërsueshëm i kombit. “Gjuha jonë është histori, sakrificë dhe amanet brezash”, theksoi ai.

Kryetari i Unionit të Studentëve falënderoi Presidentin Begaj për, siç u shpreh, dhënien e zërit studentëve të drejtësisë dhe për dëshminë se Tirana po i dëgjon kërkesat e tyre, duke e cilësuar këtë qëndrim si burim force, besimi dhe përgjegjësie për të vazhduar përpara me dinjitet.

Një falënderim të veçantë Ademi shprehu edhe për ambasadorin e Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani, për të cilin tha se mishëron frymën e Nenit 8 të Kushtetutës dhe dëshmon se shteti amë nuk i harron bijtë e vet.

MARKETING