Mësuesja me aftësi të kufizuara në dëgjim frymëzon nxënësit me vendosmërinë e saj

Sabiha İpek Yetkin e cila ka dëmtim në dëgjim që në lindje, me arsimin që mori me mbështetjen e familjes filloi të punojë si mësuese që e kishte në ëndërr, raporton Anadolu.
E lindur në vitin 1995 në Eskişehir, Yetkin u vu re nga familja e saj kur ishte foshnjë se kishte dëmtime në dëgjim. Me mbështetjen e familjes së saj, Yetkin mori trajnime për të folur dhe dëgjim në Qendrën e Edukimit, Kërkimit dhe Aplikimit për Fëmijët me Dëmtim të Dëgjimit të Universitetit Anadolu.
Ajo përdori aparat dëgjimi pas veshit deri në moshën 2-vjeçare. Yetkin më vonë fitoi 52 për qind të aftësisë të dëgjimit me një operacion të implantit koklear.
Me kërkesën e familjes vazhdoi shkollimin e mesëm dhe u diplomua në Shkollën e Mesme Profesionale dhe Teknike Gazi të Anadollit, Departamenti i Grafikës dhe Fotografisë.
Pasi i kreu studimet universitare ajo ndoqi kurse të arsimit publik dhe mori certifikata të gjuhës së shenjave dhe kompjuterit.
Yetkin në vitin 2023 u emërua mësuese e grafikës dhe fotografisë në Shkollën e Mesme Profesionale dhe Teknike të Anadollit Habip Edip Törehan.
“E kuptova që mësimdhënia është e vështirë”
Mësuesja Yetkin për Anadolu tha se mësimdhënia nuk ka të bëjë vetëm me ligjërimin, por kërkon edhe komunikim të fortë me nxënësit.
Duke treguar që e ka menduar mësimdhënien si profesion më të lehtë ajo tha:” Më vonë e kuptova që mësimdhënia është e vështirë. Duhet të komunikoni me nxënësit tuaj, unë e zgjidha këtë problem bashkërisht me nxënësit e mi duke zhvilluar zgjidhje se si mund të komunikonim më mirë. Për gjithçka nevojitet kohë”.
“Në fillim ata habiteshin duke thënë: ‘Një mësuese me dëmtim të dëgjimit?’, por me kalimin e kohës të gjithë u mësuan. Tani kalojmë shumë mirë”, tha Yetkin.
Edhe pse familja e saj e në fillim kishte humbur shpresën se ajo do të bëhej mësuese, ajo tha se nuk e ka humbur shpresën asnjëherë.
Yetkin, e cila theksoi se personat me dëmtim të dëgjimit mund të bëjnë çdo profesion dhe duke dhënë si shembull suksesin e saj, tha: “Nëse unë mund të bëhesha mësuese, njerëz të tjerë, individë të tjerë me dëmtim të dëgjimit mund të bëhen gjithashtu mjekë, pilotë ose edhe inxhinierë. Derisa nuk dorëzohemi, gjithçka është e mundur. Nuk ka asnjë pengesë para nesh”.