Mesazhi i Bajramit i Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir
MARKETING
Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir, në mesazhin për Fitër Bajramin ka thënë se sot, besimtarët përjetojnë një nga gëzimet më të mëdha. Ai thotë se Ky gëzim është thellësisht i ndërlidhur me Allahun Fuqiplotë, sepse me vetëdije të lartë dhe me besim të paluhatshëm e përcollëm muajin e shenjtë të Ramazanit.
“Kanë shpëtuar ata që u pastruan, që përmendën emrin e Zotit të tyre dhe u falën.”
Të nderuar besimtarë,
Vëllezër dhe motra,
Sot përjetojmë një nga gëzimet më të mëdha të vitit – festën e madhe të Fitër Bajramit. Ky gëzim është thellësisht i ndërlidhur me Allahun Fuqiplotë, sepse me vetëdije të lartë dhe me besim të paluhatshëm e përcollëm muajin e shenjtë të Ramazanit.
Agjëruam ditët e tij duke ngritur vetëdijen tonë për Zotin, për botën dhe për njeriun. Pastruam shpirtin dhe zemrat tona, forcuam bindjet tona mbi dijen, moralin, familjen dhe marrëdhëniet ndërfisnore e ndërnjerëzore.
Jemi të lumtur që jo vetëm agjëruam, por edhe dëshmuam se besimi ynë në Zotin nuk është thjesht një teori, por një bindje e thellë që e jetojmë me gjithë qenien tonë. Ne dëshmuam se jemi të përkushtuar fuqishëm për ngritjen e dinjitetit tonë në të gjitha aspektet: fetare, humane, intelektuale dhe shoqërore.
Gjatë gjithë muajit të Ramazanit dëshmuam urtësinë, maturinë, paqen dhe solidaritetin tonë të paluhatshëm. Në këtë festë të madhe shpirtërore jemi të lumtur që triumfuam mbi destruktiven, materializmin, egoizmin dhe xhelozinë. Me këtë i dërguam botës mesazhin se vlerat morale janë qëllimi më i lartë i aktivitetit njerëzor.
Me ndjenjën e urisë dhe etjes ne i bëmë thirrje botës për më shumë kujdes ndaj njeriut. Paqja që kultivuam gjatë Ramazanit dëshmoi se njerëzimi duhet të jetë i përkushtuar ndaj respektimit të vlerave njerëzore, duke shmangur vrasjet, luftërat, masakrat dhe gjenocidet.
Gjithashtu u përpoqëm të largohemi nga veset dhe të këqijat, duke treguar se çdo shoqëri duhet të luftojë anomalitë që rrezikojnë jetën e saj dhe të rinisë, si alkoolizmi, prostitucioni, narkomania, korrupsioni dhe dukuri të tjera që dëmtojnë njeriun dhe shoqërinë.
Në këtë festë të madhe të Fitër Bajramit qëndrojmë krenarë para Zotit të Madhërishëm, duke shpresuar në mëshirën dhe bekimet e Tij. Sot presim shpërblimet e Tij të pakufishme për agjërimin tonë, për lutjet tona të sinqerta, për ibadetet tona dhe për sakrificat që kemi bërë gjatë muajit të Ramazanit.
Fitër Bajrami është gjithashtu një ditë pajtimi dhe afrimi. Është dita kur duhet të hapim zemrat tona, të falim njëri-tjetrin dhe të forcojmë lidhjet familjare dhe shoqërore. Vizitat, urimet dhe buzëqeshjet që shkëmbejmë sot janë shenjë e vlerave të bukura që Islami i kultivon në mesin tonë.
Vëllezër dhe motra,
Le ta shfrytëzojmë këtë festë për të reflektuar mbi veten tonë dhe për të vazhduar rrugën e mirësisë që e filluam në Ramazan. Le të jemi njerëz të paqes, të drejtësisë dhe të solidaritetit në familjet tona, në shoqërinë tonë dhe kudo ku jetojmë.
Kam nderin e veçantë që, në emër të Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në emrin tim personal, t’u përcjell urimet më të sinqerta të gjithë besimtarëve në vend dhe në diasporë.
Lusim Allahun e Madhëruar që të na i pranojë agjërimet, lutjet dhe veprat tona të mira, të na dhurojë paqe në zemrat tona, harmoni në familjet tona dhe mirësi në shoqërinë tonë.
Gëzuar Fitër Bajramin!
Allahu e bëftë këtë festë burim paqeje, begatie dhe lumturie për të gjithë.

