Mercedes-Benz sinjalizon hyrjen në industrinë e mbrojtjes
Gjiganti gjerman i automobilave Mercedes-Benz ka lënë të hapur mundësinë e hyrjes në prodhimin e pajisjeve ushtarake, në një kohë kur Evropa po rrit shpenzimet për mbrojtje dhe po përballet me tensione të shtuara gjeopolitike.
Drejtori ekzekutiv i kompanisë, Ola Källenius, deklaroi për Wall Street Journal se prodhuesi i veturave është i gatshëm të shqyrtojë përfshirjen në sektorin e mbrojtjes, por vetëm nëse një hap i tillë ka logjikë të qartë biznesore dhe përshtatet me strategjinë e kompanisë.
Ai theksoi se çdo angazhim i mundshëm në këtë industri do të mbetej në përmasa të kufizuara, duke nënvizuar se Mercedes-Benz vazhdon të jetë kryesisht i fokusuar në prodhimin e automjeteve luksoze dhe komerciale, raporton reuters.
Sipas Källenius, situata globale është bërë më e paqëndrueshme, çka po shtyn disa kompani industriale evropiane të shqyrtojnë diversifikimin drejt sektorit të mbrojtjes.
Deklarata e tij vjen në një moment kur edhe prodhues të tjerë të mëdhenj evropianë të automjeteve po vlerësojnë mundësinë e kalimit pjesërisht në industrinë ushtarake, në përputhje me rritjen e kërkesës për pajisje mbrojtëse në kontinent.
Ndryshe, Gjermania ka rritur shpenzimet për përforcimin e ushtrisë pas zhvillimeve në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme.

