Mendi Qyra: Kam mbështetje nga VLEN dhe në mënyrë indirekte nga Qeveria

Kandidati i pavarur për Komunën e Strugës, Mendi Qyra, ka deklaruar sonte në emisionin “Debat në SHENJA”, se ka siguruar mbështetje nga koalicioni VLEN, si dhe në mënyrë indirekte nga Qeveria.
“Sigurisht unë jam kandidat i pavarur për kryetar komune për qytetin e Strugës. Dhe normalisht keni informata që jam i mbështetur nga koalicioni VLEN dhe njëkohësisht në mënyrë indirekte nga Qeveria,” tha Qyra.
Ai shtoi se kandidatura e tij gëzon përkrahje të gjerë nga sektorë të ndryshëm të shoqërisë.
“Jam i mbështetur poashtu edhe nga komiteti i biznesit. Jam i mbështetur poashtu nga forumi mbarëkombëtar i biznesit shqiptar që është shumë i fuqishëm në ekonomi. Jam i mbështetur edhe nga grupe të ndryshme të interesit të cilat kanë të bëjnë me kulturën, biznesin, sportin e të tjerë,” deklaroi ai.
Qyra theksoi se ka vendosur të garojë si kandidat i pavarur për të kërkuar votën e të gjithë qytetarëve, përtej vijave partiake. /SHENJA/