Memli Krasniqi dënon thirrjet raciste në Kumanovë: Heshtja ndaj urrejtjes është bashkëpërgjegjësi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka reaguar ndaj thirrjeve raciste dhe anti-shqiptare që u dëgjuan në një ndeshje basketbolli në Kumanovë, ku disa tifozë maqedonas brohoritën “vdekje për shqiptarët” dhe “dhoma gazi për shqiptarët”, në prani të Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, dhe delegacionit qeveritar.
Në një deklaratë të publikuar në rrjete sociale, Krasniqi e quajti këtë akt të rëndë, të papranueshëm dhe thellësisht të rrezikshëm për bashkëjetesën ndëretnike, jo vetëm në Maqedoninë e Veriut, por edhe në mbarë rajonin.
“Shqiptarët janë komb shtetformues në Maqedoninë e Veriut dhe një faktor kyç në rrugën euroatlantike të këtij shteti. Gjuha e urrejtjes ndaj tyre është sulm i drejtpërdrejtë ndaj vlerave demokratike dhe europiane që duhet të na bashkojnë, jo të na përçajnë,” theksoi Krasniqi.
Ai kërkoi që institucionet e Maqedonisë së Veriut të distancohen publikisht dhe qartë nga çdo akt ekstremist, duke shtuar se heshtja në këso rastesh interpretohet si miratim. Krasniqi kritikoi edhe heshtjen e Kryeministrit Albin Kurti, duke e cilësuar atë si një “heshtje të zhurmshme” që i jep mbështetje indirekte klimës anti-shqiptare në Shkup.
“Heshtja përballë gjuhës fashiste është qëndrim. Andej dhe këndej kufirit. Shqiptarët kanë bërë shumë për këtë shtet dhe nuk do të lejojnë të nëpërkëmben më,” përfundoi ai.