“Më mirë për Tetovën” garon me listë për këshillin komunal të Tetovës

Lista e pavarur “Më mirë për Tetovën”, pritet që të marr pjesë në zgjedhjet lokale të 19 tetorit, kështu kanë bërë të ditur përfaqësuesit e “Më mirë për Tetovën”.
Komunikata e plotë e listës së pavarur “Më mirë për Tetovën”:
Të dashur Tetovarë,
Me krenari dhe përgjegjësi të plotë para jush prezantojmë listën e vetme të #pavarur për Këshillin e Komunës së Tetovës në Zgjedhjet Lokale 2025!
Të udhëhequr nga dashuria për qytetin tonë, nga dëshira për të kontribuar në zhvillimin e Tetovës dhe nga shpresa për një të ardhme më të mirë, kemi vendosur të marrim pjesë në këto zgjedhje.
Përpara jush dalim me një listë kandidatësh për këshilltarë komunalë – njerëz të vullnetit të mirë, nga fusha të ndryshme shoqërore e profesionale, me përvoja të ndryshme jetësore, por të bashkuar në një qëllim: të ndërtojmë një Tetovë ku secili prej nesh mund të jetojë me dinjitet.
Ndërtimet pa leje, korrupsioni masiv, uzurpimi i hapësirave të gjelbra, partizimi i institucioneve e në veçanti i shkollave, na ka detyruar të marrim këtë hap. Pas dekadave keqmenaxhim nga partitë politike dhe mungesës së një perspektive shpresëdhënëse, Tetova ka nevojë për një zë të pavarur – zëri i qytetarëve që nuk duan të bëhen pjesë e pazarave partiake dhe e duan Tetovën pa interes.
Duke u bazuar në parimet e qeverisjes së mirë, si #transparenca, #përgjegjësia dhe #llogaridhënia, synojmë të ofrojmë zgjidhje konkrete për problemet e përditshme të tetovarëve dhe të përmirësojmë cilësinë e jetës së tyre. Mbi të gjitha, ne duam t’u japim qytetarëve fuqinë për pjesëmarrje të drejtpërdrejtë në vendimet që ndikojnë në jetën e tyre dhe të fëmijëve të tyre.
Më mirë për ty, Më mirë për Tetovën!