Me dëshminë e të akuzuarit të parë Lupço Palevski vazhdon gjykimi për vrasjen e Vanjës dhe Pançes

Në Gjykatën Themelore Penale në Shkup sot vazhdon gjykimi për vrasjen e Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezhoskit me dëshminë e të akuzuarit të parë Lupço Palevski, i cili duhet të përgjigjet në pyetjet e kryqëzuara të Prokurorisë dhe mbrojtjes së të akuzuarve të tjerë.
Në seancën e kaluar gjyqësore, Palevski duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit të tij Jovica Strasheski mohoi përgjegjësinë për vrasjen e dyfishtë, duke thënë se nuk ka motiv për krime të tilla dhe se është viktimë e një “atentati moral”, i organizuar nga strukturat politike dhe mediatike.
Sipas tij, akuzat janë pjesë e përpjekjeve për diskretimin e tij për shkak të aktiviteteve të tij kundër korrupsionit dhe larjes së parave në vend, si dhe angazhim politik për organizimin e referendumit për çështjen me Bullgarinë.
Palevski i hodhi poshtë akuzat për ngjarjet nga 22 nëntori i vitit 2023, dita kur, sipas Prokurorisë, ishte vrarë Pançe Zhezhovski, duke theksuar se kohërat dhe faktet e theksuara në akuzë nuk korrespondojnë me realitetin.
Palevski është dëshmitari i fundit i cili duhet të dëshmojë, pasi më parë, përveç dëshmitarëve të Prokurorisë, ishte marrë në pyetje babai Aleksandar Gjorçevski, si dhe të akuzuarit e tjerë.
I akuzuari Velibor Manev i sqaroi grabitjet dhe vrasjet e Vanjës dhe Pançes, duke theksuar se organizator ishte Lupço Palesvski. Boro Videvski e mohoi pjesëmarrjen e tij në ngjarje, përderisa, Vllatko Keshishev theksoi se ai nuk ka dëshmuar në të njëjtat, sepse shumë shpesh i ishte dhënë detyrë që të bëjë rojë.
Sipas akuzës, Lupço Palevski, Boro Videvski, Velibor Manev dhe Vllatko Keshishov, si dhe babai i vajzës, Aleksandar Gjorçevski, akuzohen se bashkë planifikuan grabitjen e vajzës 14-vjeçare me qëllim që të detyrojnë një anëtar të familjes së saj më të ngushtë të japë të holla si shpërblim. Përderisa grabitja e të dëmtuarit Pançe Zhezhovski në Veles ishte bërë me qëllim që ta detyrojnë që tua japë veturën “Citroen” që ta shfrytëzojnë për grabitje të fëmijës në Shkup.
E mitura Vanja dhe Pançe nga Velesi, të cilët ishin raportuar si të zhdukur më 27 dhe 24 nëntor, ishin gjetur të vdekur në afërsi të Shkupit dhe Velesit më 3 dhjetor 2023.