Mbyllja e institucioneve paralele në veri, njoftimi i Policisë së Kosovës dhe reagimet e ndërkombëtarëve

Mbyllja e institucioneve paralele në veri, njoftimi i Policisë së Kosovës dhe reagimet e ndërkombëtarëve

Policia e Kosovës të premten ka zhvilluar një operacion në katër komunat në veri të vendit për ndërprerjen e aktiviteteve në pesë objekte që janë shfrytëzuar nga komunat ilegale.

Policia e Kosovës ka njoftuar se aksioni është realizuar bazuar në kërkesën e Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal, në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet përkatëse të Kosovës dhe organeve të drejtësisë.

“Qëllimi i operacionit policor është vendosja e rendit dhe ligjshmërisë dhe ndërprerja e aktiviteteve në pesë objekte të cilat janë shfrytëzuar në cilësi të komunave ilegale, e të cilat janë në kundërshtim me rendin juridik kushtetues”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës, transmeton Telegrafi.

Operacioni i zhvilluar në veri është përcjellë nga afër edhe nga pjesëtarët e EULEX-it dhe KFOR-it.

Pas aksionit policor, ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka dhënë detaje.

Ai ka bërë të ditur se bëhet fjalë për mbylljen e disa institucioneve paralele që ishin me direktiva të Serbisë.

“Pas një koordinimi të ngushtë në mes të institucioneve të Republikës së Kosovës, janë mbyllur institucionet paralele ilegale të Vetëqeverisjes Lokale, të cilat kanë funksionuar nën direktiva të Serbisë duke cenuar kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Krasniqi.

Krasniqi tha se komunat paralele të cilat nuk do të operojnë më janë: Qarku i Mitrovicës së Kosovës, Komuna paralele e Mitrovicës, Komuna paralele e Zveçanit, Komuna paralele e Zubin Potokut, Komuna paralele e Leposaviqit.

Këto pesë objekte që janë mbyllur i bashkohen 7 komunave të tjera paralele të cilat u mbyllën në Prizren, Pejë, Suharekë, Istog, Klinë, Rahovec dhe Dragash.

Krasniqi është zotuar se institucionet e Kosovës do t’iu ofrojnë shërbime të gjithë qytetarëve pa dallime përfshirë edhe atyre serb.

“Institucionet e Republikës së Kosovës ofrojnë shërbime për të gjithë qytetarët, pa dallim. Ato janë adresa e duhur për të gjitha kërkesat dhe nevojat e qytetarëve tanë. Mbesim të përkushtuar për sa më shumë shërbime me cilësi sa më të lartë”.

“Qytetarët pa asnjë dallim, kanë adresë të saktë ku mund t’i marrin shërbimet komunale dhe strukturat paralele e kanë të qartë se nuk mund të operojnë jashtë kornizës ligjore të Republikës së Kosovës”.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal ka deklaruar tutje se nuk ka vend për operim ilegal dhe shërbime paralele në asnjë hapësirë të Republikës së Kosovës.

E pas operacionit Policia e Kosovës ka njoftuar se çfarë ka konfiskuar.

Policia e Kosovë ka sqaruar se përmes operacionit në veri ka ndërprerë aktivitetet ilegale në pesë objekte si dhe një operacion tjetër në objektet përcjellëse në Spitalin e Mitrovicës së Veriut, ku është sekuestruar material ushtarak.

Në njoftimin e Policisë së Kosovës, thuhet se operacioni policor i realizuar në veri të Kosovës, ka përfunduar me ndërprerjen e aktiviteteve ilegale dhe mbylljen e pesë objekteve të komunave ilegale në veri të Kosovës, siç janë Qarku i Mitrovicës së Kosovës, Komuna ilegale e Mitrovicës, Komuna ilegale e Zveçanit, Komuna ilegale e Zubin Potokut dhe Komuna ilegale e Leposaviqit.

“Në cilësi të provave materiale janë konfiskuar dokumentacione, pajisje teknologjike dhe dëshmi relevante që ndërlidhen me aktivitetet ilegale, të ushtruara nga strukturat ilegale në këto objekte”, thuhet në njoftim, transmeton Telegrafi.

Policia e Kosovës gjatë realizimit të detyrave policore në një operacion të ndarë në objekte përcjellëse të spitalit në Mitrovicë Veri, gjatë kontrollit ka gjetur dhe sekuestruar një xhaketë ushtarake, një çantë krahu, disa fishekë me rrethatore, dy thika dhe mbështjellës/këllëf të armës së gjuetisë.

“I tërë operacioni policor është realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, përderisa ka përfunduar në orët e mbrëmjes pa ndonjë incident apo rast për tu veçuar, ndërsa procedurat e mëtejme hetimore do të vazhdojnë nga njësitet relevante policore nën autorizimin e prokurorisë kompetente”, thuhet në njoftim.

E pas operacionit në veri ka pasur reagime të shumta. Ka reaguar ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, ai gjerman, Jorn Rohde, ambasadori britanik, Jonathan Hargreaves e Zyra e BE-së në Kosovë.

Ambasada e SHBA-së në Kosovë ka thënë se veprimi është ndërmarr pa koordinim me bashkësinë ndërkombëtare dhe si i tillë reflekton një përkeqësim real dhe në rritje të partneritetit me SHBA-në.

Në komunikatën e Ambasadës amerikane thuhet se Qeveria e SHBA-së përsërit shqetësimin dhe zhgënjimin e saj me veprimet e vazhdueshme të pakoordinuara të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës që vazhdojnë të kenë një efekt të drejtpërdrejtë dhe negativ ndaj pjesëtarëve të komunitetit etnik serb dhe komuniteteve të tjera pakicë në Kosovë.

Gjermania dhe Franca i janë bashkangjitur shqetësimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës lidhur me operacionin në veri të vendit, ku u mbyllën pesë institucione paralele serbe.

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë njoftimi (për operacionin) nuk është konsultim dhe se Gjermania i bashkohet Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë në shprehjen e shqetësimeve dhe zhgënjimit për veprimet e pakoordinuara.

Edhe ambasadori francez, Olivier Guerot, ka reaguar duke thënë se veprimet e njëanshme nuk sjellin zgjidhje të qëndrueshme.

“Veprimet që kanë ndikim të dëmshëm dhe pa dallim te pjesëtarët e një komuniteti, në këtë rast pjesëtarët e komunitetit serb, nuk janë të mirëseardhura. Njëanshmëria nuk sjell zgjidhje të qëndrueshme”, ka shkruar ambasadori francez, në platformën “X”, transmeton Telegrafi.

Ndërkaq, ambasadori i Britanisë së Madhe, Jonathan Hargreaves, ka thënë se veprimet si ky në veri të Kosovës kërkojnë konsultim me miqtë e palëkundur të Kosovës.

Pas aksionit në veri, ka reaguar edhe Zyra e BE-së në Kosovë, ku thekson se është e zhgënjyer për mungesën e vazhdueshme të koordinimit.

BE tutje thotë se operacioni kundër zyrave të mbështetura nga Serbia në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, i zhvilluar me udhëzime të Qeverisë së Kosovës, rrezikon situatën e brishtë të sigurisë në terren.

MARKETING