SHBA-ja po shqyrton zhbllokimin e disa aseteve ruse për të rinisur bisedimet e paqes në Ukrainë
SHBA-ja propozon që vendet evropiane të zhbllokojnë një pjesë të aseteve sovrane ruse të ngrira pas luftës së Rusisë në Ukrainë dhe t’i transferojnë ato në mekanizëm financiar të mbikëqyrur nga Washingtoni në përpjekje për të ringjallur negociatat e paqes, raportoi të mërkurën “Financial Times”, transmeton Anadolu.
Duke cituar katër persona të informuar për këtë çështje, gazeta raportoi se propozimi u diskutua gjatë takimeve në Miami javën e kaluar midis negociatorëve të paqes të presidentit amerikan Donald Trump dhe zyrtarëve nga Ukraina, Franca, Gjermania, Britania e Madhe, Bashkimi Evropian dhe NATO.
Sipas raportit, i dërguari i posaçëm i SHBA-së, Steve Witkoff dhe dhëndri i Trumpit, Jared Kushner paraqitën disa mekanizma të mundshëm për lirimin e aseteve, përfshirë transferimin e tyre në një mjet të ri financiar me qëllime të veçanta nën mbikëqyrjen e Washingtonit.
Delegatët evropianë e hodhën poshtë propozimin, raportoi gazeta, duke thënë se nisma kishte befasuar kryeqytetet evropiane dhe Kievin dhe ngriti pikëpyetje rreth qasjes së Washingtonit për t’i bërë presion Moskës për t’i dhënë fund luftës së saj kundër Ukrainës.
Një zyrtar amerikan i tha gazetës se përdorimi i aseteve të ngrira ruse ishte diskutuar si pjesë e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të paqes, por se mekanizmat për lirimin e fondeve dhe përcaktimin se si do të shpenzohen kanë mbetur në shqyrtim.
Zyrtari shtoi se propozime të ndryshme janë avancuar me kalimin e kohës në lidhje me përdorimin e mundshëm të aseteve të imobilizuara të Rusisë pas luftës. Zyrtarët ukrainas të përfshirë në negociata thanë se çështja është diskutuar me homologët e tyre amerikanë gjatë takimeve të mëparshme.
Vendet perëndimore ngrinë afërsisht 260 miliardë euro (302 miliardë dollarë) në asetet sovrane ruse në vitin 2022 si përgjigje ndaj luftës së presidentitrus Vladimir Putin në Ukrainë, me pjesën më të madhe të fondeve të mbajtura në BE.
Asetet e ngrira janë bërë një pikë kryesore debati midis aleatëve perëndimorë të Ukrainës mbi mënyrën e financimit të mbrojtjes dhe rindërtimit të Kievit duke siguruar që Rusia të mbartë pasojat financiare të luftës së saj.

