Mbrëmë në Shkup: 262 kundërvajtje, 102 motoçiklistë të sanksionuar, 6 të arrestuar

Mbrëmë në Shkup: 262 kundërvajtje, 102 motoçiklistë të sanksionuar, 6 të arrestuar

Gjithsej 262 drejtues janë sanksionuar gjatë një kontrolli të përforcuar rrugor të zhvilluar mbrëmjen e kaluar në Shkup, nga ora 18:00 deri në 01:00, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme.

MARKETING

Description of image

Kontrolli u realizua nga Njësia për Sigurinë e Komunikacionit Rrugor dhe stacionet policore me kompetencë të përgjithshme pranë SPB Shkup, me fokus të veçantë te motoçikletat, mopedët, triçikletat dhe katërçikletat.

Nga gjithsej 262 sanksione, 102 u shqiptuan ndaj drejtuesve të motoçikletave dhe mopedëve. Prej tyre, 93 ishin për drejtim të motoçikletës pa helmetë mbrojtëse, katër për drejtim me kategori të papërshtatshme dhe pesë për drejtim pa e dhënë provimin e vozitjes.

Policia ka shqiptuar edhe 160 masa të tjera për kundërvajtje të ndryshme, përfshirë mosmbajtjen e patentë shoferit, mosmbajtjen e lejes së qarkullimit, mosvendosjen e targave dhe kalimin në semafor të kuq.

Gjatë kontrolleve, një motoçikletë është konfiskuar përkohësisht për shkak se regjistrimi i saj kishte skaduar prej më shumë se gjashtë muajsh. Ndërkohë, gjashtë persona janë privuar nga liria në bazë të nenit 297-a të Kodit Penal.

Nga MPB-ja bëjnë të ditur se kontrollet rrugore do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim. Policia u ka bërë apel të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që t’i respektojnë rregullat dhe dispozitat e komunikacionit, me qëllim rritjen e sigurisë në rrugë.

MARKETING