Masakër në Poloni, shkon në 6 numri i viktimave nga sulmi në Krakov, 24-vjeçari qëlloi mbi qytetarët

Masakër në Poloni, shkon në 6 numri i viktimave nga sulmi në Krakov, 24-vjeçari qëlloi mbi qytetarët

Një tjetër person ka ndërruar jetë nga plagët e marra gjatë sulmit të armatosur në qendër të Krakovit, në Poloni, duke e çuar në gjashtë numrin e viktimave. Të paktën 12 persona të tjerë mbetën të plagosur, mes tyre edhe tre efektivë policie.

MARKETING

Shik.mk

Sipas dëshmitarëve, një 24-vjeçar i veshur me kamuflazh ushtarak, me helmetë dhe fytyrë të mbuluar, lëvizte me një makinë të zezë në zonën e sheshit kryesor dhe qëllonte me armë zjarri ndaj qytetarëve. Pamjet që qarkullojnë në rrjetet sociale tregojnë panikun e krijuar, me njerëz që vrapojnë dhe kërkojnë strehim në dyqanet përreth.
Policia ndërhyri dhe arriti të ndalojë autorin, i cili u plagos gjatë përplasjes me efektivët dhe u transportua në spital. Autoritetet konfirmuan se bëhet fjalë për një shtetas polak 24-vjeçar, i cili dyshohet se ka vepruar i vetëm.

Gjatë kontrollit të automjetit të tij u sekuestruan disa armë dhe municione, ndërsa në bagazh u gjetën edhe pajisje ushtarake, një çantë shpine dhe një bajonetë. Sipas policisë, autori mund të ketë përdorur një pushkë gjysmëautomatike të stilit AR-15. Motivet e sulmit mbeten ende të paqarta.

Kryeministri polak Donald Tusk shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave dhe vlerësoi efektivët që rrezikuan jetën gjatë ndërhyrjes. Edhe Presidenti Karol Nawrocki u shpreh i tronditur nga ngjarja, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave vijojnë.

MARKETING