Marta Kos: Ndryshimet në Ligjin për Gjykatën Speciale bien ndesh me detyrimet e Kosovës ndaj BE-së

Marta Kos: Ndryshimet në Ligjin për Gjykatën Speciale bien ndesh me detyrimet e Kosovës ndaj BE-së

Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos ka thënë se miratimi i Ligjit për ndryshime në Dhomat e Specializuara të Kosovës, bie ndesh me detyrimet themelore të Kosovës ndaj Bashkimit Evropian (BE) dhe janë të papranueshme, transmeton Anadolu.

MARKETING

Shik.mk

Duke folur para takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së në Luksemburg, Kos kritikoi ndryshimin e rregullave ligjore ndërkohë që proceset gjyqësore janë ende në zhvillim.

“Dua të jem e qartë se ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara në Kosovë bien ndesh me detyrimet themelore të Kosovës ndaj BE-së dhe kjo është e papranueshme”, tha Kos.

Sipas saj, ndryshimi i rregullave gjatë zhvillimit të një procesi gjyqësor bie ndesh me çdo standard ndërkombëtar të sundimit të ligjit.

“Dhe, mesazhi im është shumë i thjeshtë. Zgjerimi evropian po ecën përpara, ne po ecim përpara. Nëse vendet kandidate bëjnë hapa prapa, ato nuk do të jenë në rrugën e duhur dhe nuk do të mund të bëhen anëtare të BE-së”, tha Kos.

Deklarata e komisioneres evropiane vjen pasi Kuvendi i Kosovës miratoi më 6 tetor Projektligjin për ndryshime në Gjykatën Speciale, që synon të kufizojnë juridiksionin e Dhomave të Specializuara, duke ngushtuar periudhën kohore dhe kategoritë e veprave penale që ato mund të trajtojnë.

Ndër tjerash ato parashohin edhe uljen e dënimit maksimal me burgim në 15 vjet, mundësinë e ankimimit në Gjykatën Supreme të Kosovës dhe vuajtjen e dënimeve në Kosovë.

Më 16 shtator, Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u shpallën fajtor dhe u dënuan me nga 25 vjet burgim, ndërkaq Kadri Veseli me 18 vjet burgim dhe Rexhep Selimi me 13 vjet burgim nga Gjykata Speciale.

Ish-udhëheqësit e UÇK-së u dënuan për krime lufte, përfshirë ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

MARKETING