Mariçiq në Bruksel, sot fillon skriningu shpjegues për Klasterin

Zëvendëskryeministri i ngarkuar për Çështjet Evropiane, Bojan Mariçiq, do të hapë sot në Bruksel takimin shpjegues të skriningut për Kapitujt 21 dhe 14: “Rrjetet trans-evropiane” dhe “Politika e transportit”, nga Klasteri 4, “Agjenda e gjelbër dhe lidhshmëria e qëndrueshme”, transmeton Portalb.mk.

Në hapjen e Klasterit 4, 15 gazetarë të cilët ishin pjesë e projektit “Mbështetja nordike për progresin në Maqedoninë e Veriut” do të jenë të pranishëm për të përmirësuar komunikimin për procesin e anëtarësimit në BE, vlerat dhe përfitimet e tij. Projekti është bashkëpunim i përbashkët i Sekretariatit për Çështje Evropiane i mbështetur nga Qeveria e Suedisë.

Gazetarët në Bruksel do të kenë takim me ushtruesin e detyrës së drejtorit për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e përgjithshme për fqinjësinë dhe negociatat e zgjerimit të Komisionit Evropian, Michela Matuella, si dhe me këshilltarët për politikën e jashtme të Presidentit të Këshillit Evropian Charles Michel, Simon Mordew dhe Maja Kociançiq.

Në hapësirat e Misionit të përhershëm të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian në Bruksel, gazetarët do të kenë brifing me zëvendëskryeministrin Mariçiq, ndërsa do të takohen edhe me shefin e misionit, ambasadorin Zulfi Ismaili.

Në Klasterin 4 përfshihen Kapitujt 14, “Politika e transportit”, 15, “Energjia”, 21 “Rrjeti trans-evropian” dhe Kapitulli 27, “Mjedisi dhe Ndryshimet Klimatike”, për të cilat në periudhën nga 15 deri më 20 mars Komisioni Evropian do të prezantojë për ekipin negociator të Maqedonisë korpusin e ri të legjislacionit evropian, i miratuar në periudhën pas 2018/19.

Nesër vazhdon Kapitulli 21, së bashku me Kapitullin 15, “Energjetika”.

Kujtojmë se pas 17 vitesh Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit të kaluar filloi negociatat me BE-në me mbajtjen e konferencës ndërqeveritare.

Propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor 2022.

Menjëherë pas miratimit të propozimit francez në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, më 19 korrik 2022 u zhvillua konferenca e parë ndërqeveritare midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese nga pala e Maqedonisë, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojmë për ndryshimin e Kushtetutës, madje duke e kundërshtuar atë me protesta.

Kujtojmë se para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga Bullgaria. Sofja zyrtare kërkonte që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito. Ky kontest bllokoi për dy vite procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

MARKETING