Mariçiq do ta hapë takimin dypalësh për Kapitullin 7
Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq, i cili nga dje është për vizitë pune në Bruksel, sot do të hapë takimin dypalësh për Kapitullin 7 – “Të drejtat e pronësisë intelektuale”.
Pasdite, në Parlamentin Evropian, Mariçiq do të takohet me eurodeputetët Irena Joveva dhe Dejvid Mekalister, si dhe me eurodeputetin dhe raportuesin bullgar për Republikën e Maqedonisë së Veriut, Ilhan Qyçuk.
Kryenegociatori me BE-në nesër do të takohet me komisarin evropian për Zgjerim, Oliver Varheji dhe me drejtorin e ri të përgjithshëm të Drejtorisë së përgjithshme të Komisionit Evropian për politikat e fqinjësisë dhe zgjerimin (DG NEAR), Gert Jan Kopman. Mariçiq do të takohet edhe me Marko Makovec, zëvendësin e drejtoreshës së përgjithshme për Ballkanin Perëndimor në Shërbimin për politikë të jashtme të BE-së Ajkhorst, me ushtruesen e detyrës së drejtorit për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e përgjithshme për fqinjësi dhe negociatat për zgjerimin e Unionit, Mikaela Matuela, si dhe me drejtorin e Sekretariatit të CEFTA-s, Emir Xhikiq.
Zëvendëskryeministri Mariçiq do ta mbyllë vizitën e tij të punës në Bruksel me një takim me Simon Mordju, këshilltar diplomatik i kryetarit të Këshillit Evropian, Sharl Mishel.
Temat e takimeve do të jenë vijueshmëria e procesit të shqyrtimit, përgatitja e planit të reformës prioritare dhe përgatitjet për zbatimin e detyrave dhe detyrimeve aktuale, për përparim më të shpejtë në procesin e negociatave me BE-në.