Maqedonia nënshkruan Konventën e Këshillit të Evropës për Inteligjencën Artificiale

Maqedonia nënshkruan Konventën e Këshillit të Evropës për Inteligjencën Artificiale

Maqedonia nënshkroi Konventën e Këshillit të Evropës për Inteligjencën Artificiale. Konventa, e miratuar nga Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës në maj 2024, është instrumenti i parë ndërkombëtar detyrues që përcakton parime dhe standarde për përdorimin e sigurt, etik dhe të përgjegjshëm të inteligjencës artificiale.

Duke e nënshkruar atë, thotë Ministria e Drejtësis, vendi ynë bashkohet me përpjekjet ndërkombëtare për të vendosur rregulla dhe standarde të qarta për zhvillimin dhe përdorimin e inteligjencës artificiale, në përputhje me parimet e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit.

Në ceremoni, ministri i Drejtësisë Igor Filkov shprehu mirënjohje ndaj Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Alain Berset, për udhëheqjen dhe angazhimin e tij, si dhe ndaj Këshillit të Evropës për mbështetjen e tij të vazhdueshme.

“Çfarë do të thotë kjo për Republikën e Maqedonisë së Veriut? Para së gjithash, do të thotë se po prezantojmë garanci të qarta se inteligjenca artificiale do të përdoret në mënyrë që respekton dinjitetin njerëzor, barazinë dhe mosdiskriminimin. Qytetarët do të kenë mbrojtje më të madhe të privatësisë dhe të dhënave personale, si dhe qasje në mjete efektive ligjore nëse të drejtat e tyre shkelen.

Ne mirëpresim veçanërisht fleksibilitetin që Konventa u lejon shteteve – të përshtatin masat në përputhje me sistemet e tyre ligjore dhe institucionale, duke respektuar standardet universale.

Kjo është me rëndësi thelbësore për zbatimin efektiv dhe rezultatet e qëndrueshme”, theksoi ministri Filkov.

Në periudhën e ardhshme, do të pasojë një analizë para-ratifikimi dhe një proces harmonizimi me legjislacionin kombëtar, i cili do të përfshijë institucione përkatëse, ekspertë dhe përfaqësues të sektorit civil, me qëllim sigurimin e zbatimit cilësor dhe gjithëpërfshirës të detyrimeve që rrjedhin nga Konventa.

Nënshkrimi gjithashtu përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt thellimit të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe shkëmbimit të përvojave dhe praktikave të mira në fushën e teknologjive të reja dhe qeverisjes digjitale.

“Zhvillimi teknologjik duhet të jetë në shërbim të qytetarit. Inovacionet duhet të jenë të sigurta, etike dhe të përgjegjshme. Le të shmangim rreziqet, por mbi të gjitha, le të shfrytëzojmë përfitimet – për shërbime publike më të mira, drejtësi më efikase dhe demokraci më të fortë”, tha ministri Filkov.

MARKETING