Maqedonia e Veriut me “ndihmë urgjente” pas tërmetit katastrofik

Maqedonia e Veriut me “ndihmë urgjente” pas tërmetit katastrofik

Qeveria e Maqedonisë së Veriut pasdites e sotme ka mbajtur një seancë qeveritare, me qëllim për të ofruar “ndihmë emergjente” për Türkiyes, pas tërmetit vdekjeprurës që goditi pjesën jugore të vendit, transmeton Anadolu.

Sipas njoftimit nga qeveria, në seancë janë miratuar disa konkluzione, përfshirë ndihmë financiare për të dëmtuarit nga tërmeti në vlerë prej 6 milionë denarësh, dërgimi i forcave dhe ekipeve për mbrojtje dhe shpëtim, si dhe ndihmë adekuate në personel e pajisje në formë mekanizmi.

Sipas njoftimit, Ministria e Financave është e obliguar të përgatisë dhe t’ia dorëzojë qeverisë një vendim për miratimin e mjeteve financiare nga rezervate buxhetit të Maqedonisë së Veriut, Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe Qendra për Menaxhimin e Krizave në koordinimin me ministrin e Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, kanë për detyrë që të përgatisin dhe t’i dorëzojnë qeverisë vendimin për dërgimin e forcave dhe ekipeve, ndërsa Ministria e Mbrojtjes është e obliguar të përgatisë vendim për ofrimin e ndihmës adekuate në personel dhe ndihmë tjetër përkatëse.

Më tej, thuhet se Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut është e obliguar të përgatisë vendimin për dhënien e ndihmës në formë të personelit mjekësor, pajisjeve mjekësore dhe barnave, ndërsa Kryqi i Kuq do të duhet të përfshihet në aksionin për ofrimin e ndihmës për viktimat, duke dërguar ekipe dhe lloje të tjera të ndihmave humanitare të përshtatshme për fatkeqësi të tilla natyrore.

“Angazhohet sekretariati i përgjithshëm i qeverisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme, të ndërmarrë aktivitete në drejtim të transferimit të menjëhershëm të mjeteve të miratuara nga buxheti, si dhe të mbajë komunikim të rregullt me Ambasadën e Türkiyes në Maqedoninë e Veriut, me qëllim zbatimin e vendimit”, thuhet në njoftim.

Sipas vendimeve nga seanca, në Türkiye do të dërgohen 40 persona nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim për të sanuar pasojat e tërmetit, së bashku me gjashtë automjete për transportin e pajisjeve dhe njerëzve, si dhe dy automjete zjarrfikëse.

Qeveria po ashtu mori vendim për dërgimin e ndihmave humanitare për mbrojtje dhe shpëtim, përkatësisht 10 mijë batanije dhe 200 barela mjekësore, si dhe 24 pjesëtarë të Ministrisë së Mbrojtjes që po dërgohen për pastrimin e pasojave të tërmetit së bashku me dy qen.

Nga ana tjetër, Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut njoftoi se nëntë shtetas të vendit ishin në zonën ku ndodhi tërmeti, të cilët janë të sigurt dhe jashtë rrezikut për jetë. Bëhet fjalë për tetë nxënës të shkollave të mesme dhe mësuesja e tyre, të cilët ndodhen në Türkiye përmes programit ‘Erasmus Plus’.

Minitria theksoi se njëri nga fëmijët, i cili ka frakturë, i është nënshtruar trajtimit fillestar mjekësor dhe është gati për udhëtim që të kthehet në vend së bashku me grupin.

MARKETING