Maqedonia barazon në miqësoren ndaj Bosnjës dhe Hercegovinës
Përfaqësuesja e Maqedonisë në futboll barazoi pa gola (0-0) me Bosnjën dhe Hercegovinën në një ndeshje miqësore të zhvilluar në Sarajevë, në stadiumin “Koševo”.
Ndeshja u karakterizua nga dominimi i vendasve në posedim të topit, ndërsa Maqedonia u fokusua më shumë në mbrojtje dhe kundërsulme. Bosnja krijoi rastin e parë serioz që në minutat e para, kur goditi traversën, ndërsa Maqedonia u përgjigj me disa tentativa, por pa konkretizim.
Rasti më i mirë për përfaqësuesen tonë erdhi në pjesën e parë, kur Bojan Miovski provoi të shënojë, por u ndal nga mbrojtja vendase në vijën e portës.
Në pjesën e dytë u bënë shumë zëvendësime në të dyja skuadrat. Bosnja vazhdoi presionin, por pa arritur të gjejë golin, ndërsa Maqedonia ruajti organizimin në mbrojtje dhe menaxhoi mirë pjesën e fundit të ndeshjes.
Ndryshe Maqedonia e Veriut ndeshjen e radhës miqësore e luan të hënën ndaj Turqisë. /SHENJA/

