M-NAV: Nuk ka vështirësi ose probleme në trafikun ajror

M-NAV: Nuk ka vështirësi ose probleme në trafikun ajror

Trafiku ajror në vend po zhvillohet pa vështirësi dhe në përputhje të plotë me procedurat ndërkombëtare të navigimit ajror, njoftoi sot M-NAV, kompania shtetërore që ofron shërbime të navigimit ajror.

Nga M-NAV mohojnë kategorikisht informacionet e publikuara së fundmi për probleme në funksionimin e trafikut ajror, duke i cilësuar ato si të pavërteta dhe të motivuara politikisht.

“Informacionet që dolën në publik lidhur me vështirësi në trafikun ajror janë plotësisht të pasakta dhe i hedhim poshtë në tërësi. Trafiku ajror po zhvillohet pa asnjë problem dhe sipas standardeve ndërkombëtare të navigimit”, thuhet në reagimin e kompanisë.

Sipas M-NAV, të gjitha sistemet kritike të navigimit janë të dyfishta, gjë që garanton funksionim të sigurt dhe eliminon çdo rrezik për cenimin e sigurisë së trafikut ajror.

Kompania sqaroi edhe pretendimet për mungesë të komunikimit të sigurt me pilotët përmes sistemit VHF, duke theksuar se aktualisht pika kryesore e komunikimit është Solunska Glava, nga ku zhvillohet komunikimi me avionët pa pengesa.

Në reagim, M-NAV akuzon individë të caktuar për përhapje të dezinformatave me prapavijë politike dhe interesa personale.

“Dezinformatat janë pjesë e propagandës politike ditore të individëve që synojnë përfitime personale, duke përfshirë padrejtësisht M-NAV-in në këto narrativa”, thuhet në deklaratë.

MARKETING