LSH: Afrim Gashi, dikush po ta nxeh ujin avash-avash

LSH: Afrim Gashi, dikush po ta nxeh ujin avash-avash

Lidhja Shqiptare ka reaguar ndaj deklaratës së kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, i cili tha se është më mirë të ketë një ligj për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, edhe nëse ka mangësi, sesa të mos ketë fare. Partia e cilëson këtë qëndrim si skandaloz dhe kundërshton edhe mbështetjen që, sipas saj, i japin këtij ligji bashkëkryetarët e koalicionit VLEN.

MARKETING

Description of image

Sipas Lidhjes Shqiptare, propozim-ligji i Qeverisë nuk garanton mbrojtjen e përfaqësimit të drejtë, pasi nuk parasheh sanksione dhe mekanizma për zbatimin e tij, ndërsa, sipas tyre, heq kuotat etnike gjatë punësimit.

“Është skandaloze deklarata e Kryeparlamentarit, Afrim Gashi kur thotë që më mirë një ligj gjysmak për përfaqësim të drejtë dhe adekuat sesa pa ligj fare. Akoma më skandaloze është kur edhe bashkëkryetarët e VLEN-it mbajnë të njëjtin qëndrim.

Atëherë, për hir të sqarimit të opinionit: Më mirë pa ligj për përfaqësim të drejtë dhe adekuat dhe me të drejtën e përfaqësimit vetëm në Kushtetutë, sesa me një ligj të këtillë siç e propozon Qeveria. Sepse ky ligj i Qeverisë, duke mos paraparë sanksione, duke mos paraparë mekanizma implementimi dhe duke paraparë vetëm heqjen e kuotave etnike gjatë punësimit, synon kthimin e të drejtave të shqiptarëve në periudhën e diferencimeve politike të pas vitit 1981 në ish-Jugosllavi, duke lënë të ardhmen e shqiptarëve në dëshirën e mirë ose të keqe të politikanëve maqedonas.

Ju nuk keni të drejtë të tregtoni të drejtat e shqiptarëve.

Prandaj Afrim Gashi, meqë e ke për zemër alegorinë me bretkosën, po ta nxeh ujin dikush avash-avash”, thuhet në reagimin e Lidhjes Shqiptare.

MARKETING