LSDM: Prilepi nuk ka stacione matëse për cilësinë e ajrit

Partia maqedonase në opozitë, LSDM, ka akuzuar pushtetin lokal të VMRO-DPMNE-së se po helmon qytetarët e Prilepit përmes ndotjes së ajrit. Sipas LSDM-së, ndotja e ajrit në qytet është jashtëzakonisht e dukshme, duke u bërë e perceptueshme me sy të lirë.
Ivona Kuzmanoviq, anëtare e Këshillit të Komunës së Prilepit nga radhët e LSDM-së, thekson: “Ajri jashtëzakonisht i ndotur pickon sytë, hundën dhe fytin. Ndërsa në qytetet e tjera, ku po përballen me të njëjtin problem, kryetarët e komunave kërkojnë zgjidhje për të adresuar ndotjen, Borçe Jovçeski nuk ka një qëndrim të ngjashëm.”
Ajo shton se, “Për Jovçeskin dhe VMRO-DPMNE-në, banorët e Prilepit nuk kanë problem me ndotjen, sepse sipas tyre, stacionet matëse nuk tregojnë diçka të tillë. Por kjo është për shkak se nuk ekzistojnë stacione matëse në qytet. Prilepi është i vetmi qytet në Maqedoni që nuk ka stacione për monitorimin e cilësisë së ajrit, prandaj nuk dimë shkallën e ndotjes së tij.”
Kuzmanoviq vazhdon me kritika të ashpra ndaj pushtetit lokal dhe qendror: “Ajo që dimë është se po thithim ajër kancerogjen. Ajri i ndotur po merr gjithnjë e më shumë jetë çdo vit, ndërsa qeveria e VMRO-DPMNE-së, si në nivel qendror ashtu edhe në atë lokal, nuk ka ndërmend të merret me këtë problem. Në fakt, Jovçeski dhe VMRO-DPMNE-ja nuk janë shprehur asnjëherë për këtë çështje dhe nuk kanë treguar asnjë shqetësim për shëndetin e qytetarëve të Prilepit.”
“Ky fakt pasqyrohet edhe nga mosrealizimi i një projekti të rëndësishëm për qytetin: 1.5 milionë euro, që Qeveria e LSDM-së kishte ndarë për ndërtimin e fabrikës për riciklimin e mbeturinave. Po ashtu, ata lejuan që deponia pranë Alincit të digjet, duke ndotur më tej ajrin edhe gjatë dimrit,” përfundon Kuzmanoviq.