Logos-A prezanton librin “Simbolika e Kryqit” të René Guénon
Shtëpia botuese Logos-A ka sjellë para lexuesve librin “Simbolika e Kryqit”, një vepër e rëndësishme e filozofit dhe mendimtarit francez René Guénon. Libri botohet në format A5, me 230 faqe, dhe vjen si një kontribut i çmuar në fushën e mendimit metafizik dhe simbolik.
Pas veprës së njohur “Mbretërimi i Sasisë dhe Shenjat e Kohës”, përmes së cilës Logos-A e prezantoi më herët Guénon para publikut, autori rikthehet me një analizë të thelluar të simbolit të kryqit, duke treguar se si një formë e vetme mund të mbajë brenda saj një shumësi kuptimesh universale.
Në “Simbolika e Kryqit”, Guénon fton lexuesin të shkojë përtej pamjes së jashtme të formave dhe të kërkojë Parimin e parë, burimin themelor që i jep kuptim ekzistencës dhe realitetit. Me qasjen e tij metafizike, libri sfidon mendimin modern dhe hap horizonte të reja reflektimi filozofik.
Me këtë botim, Logos-A vazhdon misionin e saj për të sjellë vepra me vlerë të qëndrueshme intelektuale dhe shpirtërore.
Frymëzimi vazhdon…

