Logos – A dhuron 700 libra për UNT – literaturë bashkëkohore për studentetët dhe stafin akademik

Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup u pasurua me një donacion prej 700 librash nga Shtëpia Botuese “Logos A”. Me këtë rast, rektori Prof. dr. Bekim Fetaji priti në takim pune Muhamed Jashari, përfaqësues i “Logos A”, për të shprehur mirënjohjen institucionale për këtë kontribut të vlefshëm në përkrahje të zhvillimit akademik dhe zgjerimit të fondit bibliotekar.
MARKETING
Në takim morën pjesë edhe prorektorët Prof. Inor. dr. Diturije Ismaili dhe Prof. Inor. dr. Fati Iseni, si dhe Prof. Inor. dr. Argëtim Saliu dhe Mr. Driton Zendeli, ku rektori Fetaji prezantoi zhvillimet e fundit në universitet dhe theksoi rëndësinë e mbështetjes me literaturë bashkëkohore për rritjen e cilësisë në arsim.
Jashari theksoi se donacioni përfshin mbi 130 tituj nga fusha të ndryshme, të cilët do të shërbejnë si burim i rëndësishëm studimor për studentët dhe stafin akademik të UNT-së.
Në ambientet e bibliotekës universitare, rektori Fetaji ndau një mirënjohje për Shtëpinë Botuese “Logos A”, në emër të studentëve, stafit akademik dhe administrativ, si shenjë falënderimi për kontributin e dhënë në pasurimin e burimeve akademike të universitetit.
Të gjitha botimet e dorëzuara, pasi të sistemohen në hapësirat përkatëse tematike, do të jenë të gatshme për shfrytëzim nga komuniteti universitar. Elijesa Ameti, punonjëse e bibliotekës universitare, mirëpret të gjithë të interesuarit për lexim dhe studime të avancuara.