Ligjvënësit nuk zgjedhin Kevin McCarthy-in kryetar të Dhomës së Përfaqësuesve, pas tre raundesh votimi

Ligjvënësit nuk zgjedhin Kevin McCarthy-in kryetar të Dhomës së Përfaqësuesve, pas tre raundesh votimi

Dhoma e Përfaqësuesve nuk arriti të zgjedhë Kryetarin e saj, ndërsa një grup ligjvënësish konservatorë vazhduan të votojnë kundër kandidaturës së kolegut të tyre republikan Kevin McCarthy për të marrë drejtimin e sesionit të 118-të Kongresit të Shteteve të Bashkuara.

Kjo ishte hera e parë në 100 vjet, që asnjë kandidat republikan apo demokrat nuk u zgjodh që në raundin e parë të votimit në postin e kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve, e cila ka 435 anëtarë.

Zoti McCarthy nuk arriti të zgjidhet kryetar pas tre raundesh votimi. 20 kolegë republikanë e kundërshtuan kandidaturën e tij në raundin e fundit.

Dhoma e Përfaqësuesve pritet të vazhdojë mesditën e së mërkurës me një raund të katërt votimi, por nuk ishte e qartë nëse do të ndryshonin qëndrim disa nga kundërshtarët e zotit McCarthy, apo nëse mund të shfaqeshin edhe kandidatë të rinj.

Republikanët do të kenë një shumicë të ngushtë 222-212 në Dhomën e Përfaqësuesve, ndërsa një vend është momentalisht vakant.

Për rrjedhojë, zotit McCarthy, i cili shërben prej 16 vitesh si ligjvënës nga Kalifornia, do t’i duhet të sigurojë të paktën 218 vota për t’u bërë kryetar.

Sipas VOA, 19 republikanë, shumë prej të cilëve patën shprehur gjatë javëve të fundit pikëpamjen se zoti McCarthy nuk ishte mjaftueshëm konservator për të udhëhequr ligjvënësit republikanë, votuan për ligjvënës të tjerë republikanë gjatë raundit të parë të votimit, si për ligjvënësit Andy Biggs nga Arizona dhe Jim Jordan nga Ohajo, dy kundërshtarë të zëshëm të presidentit demokrat Joe Biden.

Në raundin e tretë të votimit, 20 republikanë votuan për zotin Jordan, megjithëse ai vetë propozoi kandidaturën e zotit McCarthy për drejtues të shumicës republikane gjatë sesionit të ri dyvjeçar të Dhomës së Përfaqësuesve.

Ligjvënësi demokrat Hakeem Jeffries nga Nju Jorku, mori votat e të gjithë 212 ligjvënësve demokratë, dhe kryesoi kështu në votime, megjithëse ai nuk ka ndonjë shans për të fituar, pasi asnjë ligjvënës republikan nuk ka në plan të votojë për të.

Në votimin më të fundit, 202 republikanë votuan për zotin McCarthy, pra 16 më pak nga 218 votat që i nevojiten.

Ndryshe, 57-vjeçari McCarthy, që është vetë një konservator i vendosur, është përpjekur prej vitesh të marrë drejtimin e Dhomës së Përfaqësuesve.

Gjatë javëve të fundit, ai u takua në mënyrë të përsëritur me kundërshtarët e tij republikanë, për të siguruar mbështetjen e tyre për kandidaturën e tij për kryetar. /voa/

MARKETING