Lidhja Shqiptare: Shëndetësia nuk ka nevojë për më shumë konferenca për shtyp, por për rezultate

Lidhja Shqiptare: Shëndetësia nuk ka nevojë për më shumë konferenca për shtyp, por për rezultate

Lidhja Shqiptare ka reaguar ndaj njoftimit të Qeverisë për formimin e një Qendre për Ndihmën e Shpejtë në Shkup, duke e cilësuar këtë si një hap pozitiv, por duke theksuar se sektori i shëndetësisë vazhdon të përballet me mungesë reformash konkrete.

Partia i referohet raportit “Kompasi i Premtimeve”, i hartuar nga Finance Think në bashkëpunim me Shoqatën e Mjekëve të Maqedonisë dhe Forumin Arsimor Rinor, sipas të cilit vetëm 13 për qind e premtimeve në fushën e shëndetësisë janë realizuar, ndërsa 71 për qind e tyre ende nuk kanë filluar të zbatohen.

Sipas Lidhjes Shqiptare, të dhënat e raportit tregojnë se mungon progresi në reformat kyçe të sistemit shëndetësor, përfshirë digjitalizimin e shërbimeve, uljen e listave të pritjes, përmirësimin e qasjes te specialistët, integrimin e niveleve të kujdesit shëndetësor dhe reformimin e shëndetësisë primare.

Nga kjo parti vlerësojnë se qytetarët kanë nevojë për më shumë se institucione të reja në letër. Sipas tyre, prioritet duhet të jetë sigurimi i numrit të mjaftueshëm të mjekëve dhe infermierëve, ambulancave të pajisura, barnave të disponueshme, diagnostikimit në kohë dhe trajtimit dinjitoz për pacientët.

“Shëndetësia meriton më shumë se premtime. Ajo ka nevojë për rezultate konkrete që reflektohen në cilësinë e shërbimeve dhe në jetën e qytetarëve”, thuhet në reagimin e Lidhjes Shqiptare.

MARKETING