Lideri suprem i Iranit bën thirrje për prodhim vendor dhe ulje të varësisë nga dollari
Lideri suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, ka deklaruar se mbështetja më e madhe në prodhimin vendor është çelësi për adresimin e problemeve ekonomike të vendit, duke bërë thirrje për zvogëlimin gradual të rolit të rëndësishëm të dollarit në ekonomi, transmeton Anadolu.
Në një mesazh me rastin e Javës së Qeverisë në Iran, Khamenei i bëri thirrje qeverisë t’u kushtojë “vëmendje serioze” sfidave të ndërlidhura ekonomike dhe të jetesës, përfshirë inflacionin, papunësinë, menaxhimin e çmimeve dhe rregullimin e tregjeve të mallrave dhe shërbimeve.
Ai gjithashtu bëri thirrje për nxitjen e rritjes ekonomike, shtimin e investimeve dhe orientimin e tyre drejt sektorëve të dobishëm dhe të nevojshëm, stimulimin e prodhimit dhe vendosjen e politikave të “ekonomisë së rezistencës” në qendër të agjendës ekonomike të qeverisë.
“Çelësi kryesor për zgjidhjen e të gjitha këtyre çështjeve qëndron në mbështetjen gjithnjë e më të madhe në prodhimin vendor”, tha ai.
Khamenei, i cili mori drejtimin pas vrasjes së babait të tij në sulmet amerikano-izraelite, por që prej atëherë nuk është parë në publik, theksoi se sigurimi i një furnizimi të mjaftueshëm me mallra esenciale dhe të specializuara mbetet i nevojshëm.
Ai shtoi se importet duhet të përdoren “në mënyrë të duhur dhe të mençur” sa herë që prodhimi vendor është i pamjaftueshëm.
Nxitja e prodhimit, tha ai, krahas menaxhimit të importeve dhe çmimeve, mund të zvogëlojë gradualisht “pikat e errëta” në ekonominë e Iranit derisa ato të zhduken plotësisht.
Riali iranian ra në nivelin më të ulët historik kundrejt dollarit amerikan, duke kaluar këtë javë nivelin prej 2 milionë rialësh për 1 dollar në tregun e lirë, ndërsa Washingtoni vendosi sanksione të tjera me synimin për të ngulfatur ekonominë e Iranit.

