Lavrov: Rusia do t’i kundërpërgjigjet me operacione konkrete sulmit ndaj Kremlinit

Lavrov: Rusia do t’i kundërpërgjigjet me operacione konkrete sulmit ndaj Kremlinit

Rusia do t’i kundërpërgjigjet me operacione konkrete tentativës së sulmit me dronë ndaj Kremlinit, dekalroi sot ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov, raporton Anadolu.

Duke folur para gazetarëve pas takimit të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO) në Goa të Indisë, Lavrov tha se sulmi i fundit me dronë, për të cilin Kremlini pretendon se është kryer nga Ukraina, është një akt armiqësie.

“Absolutisht është e qartë se pa dijeninë e ‘zotërisë’, terroristët e Kievit nuk mund ta kishin kryer këtë”, pohoi ai, duke kërcënuar se “nuk do t’i përgjigjet thashethemeve nëse bëhet fjalë për ‘casus belli’ ose jo.

“Ne do të kundërpërgjigjemi me operacione konkrete”, tha Lavrov.

Kremlini njoftoi të mërkurën se Ukraina u përpoq të sulmonte rezidencën presidenciale me dy dronë, të cilët u rrëzuan mbrëmjen e së martës.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe zyrtarë të tjerë ukrainas kanë mohuar përfshirjen e Kievit në sulmin me dronë.

Kremlini prentendoi të enjten se SHBA-ja kishte vendosur për sulmin e supozuar me dronë të Ukrainës në rezidencën presidenciale.

“Ne jemi të vetëdijshëm se vendimet për veprime të tilla, për sulme të tilla terroriste, nuk merren në Kiev, por në Washington. Ndërsa Kievi bën atë që i thuhet të bëjë”, tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.

Të enjten, Bashkimi Evropian i bëri thirrje Rusisë që të mos përdorë sulmin e supozuar me dronë si justifikim për të përshkallëzuar luftën kundër Ukrainës.

MARKETING