Kuvendi miratoi Propozim-vendimin për rishpërndarjen e mjeteve në Buxhet për vitin 2023

Kuvendi miratoi Propozim-vendimin për rishpërndarjen e mjeteve në Buxhet për vitin 2023

Në Kuvend sot në kuadër të seancës së 126-të është miratuar Propozim-vendimi për rishpërndarjen e mjeteve në Buxhet për vitin 2023 për të cilin 62 deputetë votuan “pro” dhe 10 abstenuan.

Me Vendimin rishpërndahen 18.2 milionë për pagesën e pagave më të larta, pensionet e rritura, rekurs për pushimet vjetore për të gjithë punonjësit në sektorin publik, të drejtat sociale, subvencionet për fermerët, për kujdesin shëndetësor, gjegjësisht për medikamentin “Trikafta” dhe matëset për personat me diabet, si dhe mjete për pakon e re të masave antikrizë.

“Me këtë vendim rialokojmë mjete në interes të aspektit social, përkatësisht rialokimet kryesore janë pikërisht në drejtim të përkrahjes së qytetarëve dhe standardit  jetësor – rritja e pagave në sektorin publik për 10% dhe sigurimi i K-15 sipas dispozitave të Marrëveshjes së përgjithshme kolektive për të punësuarit në sektorin publik, rritja e pensioneve  për rreth 6% sipas zgjidhjes sistemike të vendosur, rritja e mjeteve për transfertat sociale, subvencionet për bujqit, përkrahjen e kompanive vendase dhe të huaja, si dhe në drejtim të sigurimit të mjeteve për pakon e nëntë të masave antikrizë. Pikësynimi ynë është të përkrahim qytetarët, për të lehtësuar sa më shumë presionet e çmimeve, ndërsa njëkohësisht të ruajmë komponentin zhvillimor të buxhetit, me nivel më të lartë të investimeve të planifikuara kapitale në raport me deficitin buxhetor. Në këtë drejtim vazhdojmë me Strategjinë për rimëkëmbjen e ekonomisë, para së gjithash, duke mbrojtur standardin e qytetarëve dhe më tej duke përshpejtuar rritjen ekonomike”, tha ministri i Financave, Fatmir Besimi, gjatë arsyetimit të propozimit në Kuvend.

Ministri theksoi se me këtë vendim rialokohen 18.2 miliardë denarë, të cilat janë siguruar në bazë të kursimeve nga shpenzimet më pak të realizuara nga shfrytëzuesit e caktuar buxhetorë, si dhe me mjetet shtesë të siguruara në bazë të mekanizmit CAPEF, me ç’rast me këtë mundësohet likuiditet i sigurt në Buxhetin dhe  servisohen detyrimet.

Me këtë propozim vendim janë siguruar 10% për pagesën e rritjes së pagave për të punësuarit në sektorin publik, si dhe për pagesën e regresit për pushim vjetor në vlerë prej 10.000 denarëve janë siguruar 4.25 miliardë denarë, për rritjen e pensioneve për rreth 6% për 336 mijë pensionistë, duke filluar nga muaji shtator i vitit 2023, me ç’rast janë siguruar 3.5 miliardë denarë, 1.81 miliardë denarë si ndihmë shtetërore për kompanitë edhe atë: 581 milionë denarë për kompanitë vendase, 200 milionë denarë për kompanitë e huaja dhe 300 milionë denarë për kompanitë dhe rregullimin e infrastrukturës në ZZHTI, 800 milionë denarë janë destinuar për subvencionet bujqësore, kryesisht për subvencionet për qumësht, prodhimtari blegtorale, si dhe për financimin përmes avancit të bujqve për prodhimin në bujqësi dhe blegtori.

Tutje,650 milionë denarë për pagesën  “TVSH-ja Ime” për tremujorin e tretë për shkak të rritjes së limitit të kthimit, 600 milionë denarë për pagesën e të drejtave sociale për 36.000 shfrytëzues sa i përket të hyrave të garantuara minimale, 290 milionë denarë për pagesën e shujtës së studentëve për 29.000 shfrytëzues, bursa për 6.900 studentë dhe bursa për 9.600 nxënës, 200 milionë denarë për pagesën e rregullt të pushimit të lindjes, 166 milionë denarë për përkthime, shtypje dhe blerje të librave për arsimin fillor dhe të mesëm, 110 milionë denarë për ballafaqimin me murtajën afrikane, 100 milionë denarë për prokurimin e medikamentit “Trikafta” për 55 pacientë, si dhe 20 milionë denarë për sensorë digjitalë për matjen e sëmundjes së sheqerit.

Me vendimin janë ndarë edhe 4,55 miliardë denarë në Programin P1, mjete të dedikuara për masa për ballafaqim me krizën.

Ministri theksoi se me këtë rishpërndarje nuk refuzohet asnjë projekt kapital dhe se shpenzimet kapitale mbeten në nivel më të lartë se deficiti buxhetor që mbetet në të njëjtin nivel në shumën nominale, gjë që tregon përkushtimin për konsolidim gradual fiskal.

Kuvendi ka miratuar edhe Propozim- ligjin për ndryshimin e Ligjit për realizimin e buxhetit.

MARKETING