Kurti optimist për marrëveshje në Ohër: S’varet vetëm nga unë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur optimist në lidhje me arritjen e marrëveshjes me Serbinë më 18 mars në Ohër.
Pas një konference për barazi gjinore, para gazetarëve Kurti ka thënë se arritja e marrëveshjes në Ohër nuk varet nga ai, por nga presidenti serb.
Ai thotë se në takimet me palën serbe gjithmonë ka qenë “i përkushtuar, konstruktiv dhe kreativ”.
“Unë jam optimist mirëpo a do të ketë sukses a s’do të ketë sukses, nuk varet vetëm prej meje. Unë kam ofruar që edhe më 27 shkurt në Bruksel ta nënshkruajmë propozimin evropian, mirëpo pala tjetër nuk ka qenë as e gatshme dhe as e interesuar. Pra, nëse ka pasur mossukses, asnjëherë nuk ka qenë për fajin tim, sepse unë kam qenë i përkushtuar, konstruktiv dhe kreativ”, ka deklaruar Kurti.
Gjithashtu, Kurti ka treguar se ku gjendet Asociacioni brenda propozimit evropian dhe tha se ai i referohet vetëm asaj cka shkruan në propozim, teksa tha se plani i zbatimit të atij propozimi do të negociohet në Ohër.
“Unë e kuptoj që Serbia shtyn shumë për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe apo Zajednicës siç e kemi quajtur ndryshe, ajo është në nenin 10, njëra prej 33 marrëveshjeve, në fakt kur kam shikuar tash së fundmi, bashkë me konkluzione që janë vënë në Bruksel, del që nga 2 korriku i vitit 2011 deri më 25 gusht të vitit 2015, janë 39 marrëveshje gjithsej dhe Asociacioni përbën 6 pikat e para të një marrëveshje 15-pikëshe e cila është e 16-ta prej 39. Natyrisht ne e dimë qëndrimin e Serbisë, mirëpo unë duhet që t’i referohem asaj çfarë jemi marrë vesh dhe atë keni mundur që ta lexoni të gjithë, ndërkaq plani i zbatimit duhet të negociohet në Ohër, e mbase jo vetëm në Ohër”, tha Kurti.
Kryeministri Kurti dhe presidenti serb do të takohen më 18 mars në Ohër./arbresh.info