Kurti letër Abdixhikut e Krasniqit, i fton në takim për konstituimin e Kuvendit

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës dhe njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i ka dërguar një letër zyrtare kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, përmes së cilës e fton në një takim konsultativ me qëllim të konstituimit të Kuvendit të ri.
Në letër, Kurti thekson nevojën për zgjedhjen e kryesisë së Kuvendit, përfshirë edhe kryetarin e tij, duke u bazuar në Kushtetutën e Kosovës dhe rregulloren përkatëse.
Ai e fton Abdixhikun që të marrë pjesë në një takim me përfaqësuesit e tre partive kryesore, ku do të marrë pjesë edhe Memli Krasniqi, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
Takimi është caktuar të mbahet të enjten, më 1 maj 2025, nga ora 08:30, në sallën N-204 të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Kurti shpreh shpresën se ftesa do të pranohet pozitivisht, duke e përmbyllur letrën me një përshëndetje të përzemërt.
Duhet theksuar se konstituimi i Kuvendit – i nisur më 15 prill – ka dështuar tetë herë radhazi deri tani, për shkak se partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje, nuk po arrin t’i sigurojë votat e nevojshme prej 61 për kandidaten e saj për kryetare, Albulena Haxhiu.
Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të hapet rruga për formimin e Qeverisë së re.
Vetëvendosje i ka 48 ulëse nga 120 sa i ka Kuvendi i Kosovës dhe Haxhiu deri tani i ka marrë 57 vota më së shumti.
Haxhiu shihet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) si “figurë përçarëse”, derisa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) nuk dëshiron ta votojë asnjë kandidat të partisë fituese.
Vetëvendosje ngul këmbë se Haxhiu është kandidate meritore dhe, përkundër se ka bërë thirrje për marrëveshje politike, ka hedhur poshtë mundësinë e propozimit të ndonjë kandidati tjetër pos saj.
Vetëvendosje i fitoi zgjedhjet e 9 shkurtit, me rreth 42 për qind të votave, apo 48 ulëse.
Edhe për formimin e Qeverisë së re asaj i duhen të paktën 61 vota.
Pas LVV-së më së shumti vota fitoi PDK, me 24 ulëse, e pastaj LDK-ja me 20 sosh.
AAK dhe Nisma i fituan tetë ulëse, prej të cilave tri i takojnë kësaj të fundit.
Bashkimi Evropian ka thënë ditë më parë se Kosova duhet t’i formojë shpejt institucionet e reja./Telegrafi/