Irani: Dëmet nga sulmet e SHBA-së dhe Izraelit vlerësohen në rreth 270 miliardë dollarë
Dëmet nga sulmet e SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit vlerësohen në rreth 270 miliardë dollarë, tha zëdhënësja e qeverisë iraniane, Fatemeh Mohajerani, duke iu referuar vlerësimeve paraprake, transmeton Anadolu.
“Një nga çështjet që ekipi ynë negociues po ndjek dhe që u trajtua edhe në bisedimet në Islamabad, është çështja e reparacioneve të luftës”, tha Mohajerani për agjencinë ruse “RIA Novosti”, sipas agjencisë gjysmë-zyrtare iraniane “Tasnim”.
“Shifra prej 270 miliardë dollarësh nuk është përfundimtare. Dëmet zakonisht duhet të shqyrtohen në disa nivele”, theksoi ajo.
Përshkallëzimi rajonal i armiqësive erdhi pasi SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulme të përbashkëta kundër Iranit më 28 shkurt, duke vrarë dhe plagosur mijëra persona.
Teherani nisi sulme hakmarrëse ndaj Izraelit, Irakut, Jordanisë dhe vendeve të Gjirit që strehojnë mjete ushtarake amerikane, përpara se javën e kaluar të shpallej një armëpushim dyjavor.
Delegacionet iraniane dhe amerikane përfunduan 21 orë bisedime në Islamabad, Pakistan, herët të dielën, pa arritur marrëveshje.

