Kur do të ndërtohet ura në fshatin Llokë? Sqaron Elmazi
Kryetari i Komunës së Sarajit, Muhamed Elmazi, në emisionin “Debat në SHENJA” ka folur për projektin e ndërtimit të urës në fshatin Llokë.
Ai bëri të ditur se javën e kaluar ka zhvilluar një takim me banorët e këtij fshati, ku u ka prezantuar Planin Gjeneral Urbanistik të qytetit të Shkupit. Sipas tij, në këtë plan është paraparë edhe ndërtimi i urës së Llokës, ndërsa aktualisht po zhvillohen procedurat për tenderimin e projektimit.
Elmazi theksoi se ura e Llokës pritet të jetë ndër projektet e para që do të projektohen, ndërsa realizimi i saj do të bëhet në bashkëpunim me Qytetin e Shkupit dhe Komunën e Gjorçe Petrovit.
“Jo më larg se javën e kaluar, i kisha në takim banorët e vendbanimit Llokë, ku prezantova para atyre se në planin gjeneral urbanistik të qytetit të Shkupit është e paraparë ura e Llokës dhe se jemi ne evaulim të tenderimit për projektim dhe se një nga projektet më të para që do të projektohen është po kjo urë e Llokës dhe pastaj në bashkëpunim me qytetin e Shkupit dhe Komunën e Gjorçe Petrovit besoj që do të kemi zgjidhje për ta realizuar këtë urë. Brenda këtij viti përfundon procedura e projektimit. Nuk mvaret nga komuna e Sarajit, pasi që nuk kemi mjete financiare aq të mëdha dhe të hyra aq të mëdha, që ta bëjmë hapjen e një tenderimi për urë, dmth, jemi në komunikim të përditshëm me qytetin e Shkupit dhe kryetarin e komunës së Gjorçe Petrovit dhe besoj pas shumë vitesh do t’i vijë zgjidhja e këtij problemi të qytetarët të atij vendi lokal”, deklaroi Elmazi. /SHENJA/

