Kumanova në festë, Bashkimi fiton duelin me Besën dhe rikthehet në Ligën e Parë

Ekipi i Bashkimit ka arritur të shënojë një fitore të jashtëzakonshme në duelin kundër Besës së Debërdollit duke siguruar kështu ngjitjen në Ligën e parë të futbollit vendor pas shumë viteve.
Kumanovarët gjatë tërë ndeshjes ishin të sigurt në mbrojtje ndërsa në dy raste, në kundërsulme arritën që të shënojnë dy gola, duke siguruar kështu plasmanin në ligën e parë.
Për Bashkimin kjo është një rezultat historik. Ata janë një skuadër me emër në futbollit vendor dhe një klub me traditë dhe tifozë, që në të kaluar ka shkruar histori, duke u bërë skuadra e parë shqiptare që fiton Kupën e Maqedonisë.
Kujtojmë se për Besën ky ishte kampionati i parë në Ligën e futbollit në RMV. Nga ana e kryesisë janë bërë shumë investime në ekip, megjithatë përvoja e bëri të veten. Ata e mbyllën sezonin në vendin e 10, ndërsa tani do të duhet që të mbledhin forca dhe të tentojnë rikthimin përsëri në mesin e më të mirëve.