Kuba akuzon kryediplomatin e SHBA-së për nxitje të përshkallëzimit ushtarak
Ministri i Jashtëm i Kubës, Bruno Rodriguez Parrilla, akuzoi Sekretarin amerikan të Shtetit Marco Rubio për nxitje të përshkallëzimit drejt një përballjeje ushtarake, transmeton Anadolu.
“Sekretari amerikan i Shtetit gënjen sërish për të nxitur një agresion ushtarak që do të shkaktonte derdhjen e gjakut kuban dhe amerikan”, shkroi ai në platformën sociale amerikane X.
Deklaratat e tij erdhën pasi Rubio tha se Kuba përbën një “kërcënim për sigurinë kombëtare” të SHBA-së.
“Kuba nuk është, dhe nuk ka qenë kurrë, kërcënim për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara. Është qeveria amerikane ajo që në mënyrë të pamëshirshme dhe sistematike sulmon popullin kuban dhe që, në muajt e fundit, ka nxitur dëshpërim te popullsia dhe kolapsin e ekonomisë duke ndaluar importet e karburantit dhe duke forcuar natyrën ekstraterritoriale të bllokadës”, tha Bruno Rodriguez Parrilla.
Ai gjithashtu kundërshtoi përcaktimin e Kubës nga SHBA-ja si shtet sponsor i terrorizmit.
“Ai (Rubio) këmbëngul në gënjeshtrën e etiketimit të Kubës si shtet sponsor i terrorizmit, kur në fakt kanë qenë Shtetet e Bashkuara që për dekada kanë lejuar organizimin dhe ekzekutimin e veprimeve terroriste kundër Kubës nga territori i tyre dhe kanë ofruar strehë për terroristë të njohur”, shtoi ai.

