Kryetarja e KE-së, Ursulla fon der Lajen të enjten në Shkup
Kryetarja e Komisionit Eropian, Ursula fon der Lajen, të enjten do të udhëtojë për vizitë në Maqedoninë e Veriut, në kuadër të vizitës katërditore në Ballkanin Perëndimor, me ç’rast do t’i vizitojë edhe Shqipërinë, Bosnjë e Hercegovinën, Serbinë, Kosovën dhe Malin e Zi, ku me liderët do të bisedojë për përparimin e Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt BE-së, si dhe për Planin e BE-së për rritje prej 6 miliardë eurove.
Pas vizitës në Tiranë, Fon der Lajen të enjten do të arrijë në Shkup, ku do të takohet me kryeministrin Hristijan Mickoski dhe me presidenten, Gordana Siljanovska-Davkova.
Siç kumtoi Delegacioni i BE-së në Shkup, është paraparë që Fon der Lajen dhe Mickoski të mbajnë konferencë për shtyp në Qeveri.
Pas vizitës në Shkup, kryetarja e KE-së do të niset për në Bosnjë e Hercegovinë.
“Vizita e sivjeme në Ballkanin Perëndimor vjen në kohë kur zgjerimi është në krye të agjendës së BE-së, gjë që u konfirmua nga kryetarja Fon der Lajen disa herë, përfshirë edhe në Samitin e paradokohshëm të Procesit të Berlinit dhe në Forumin strategjik të Bledit”, qëndron në kumtesën e Delegacionit të BE-së.