Kryetari i TIKA-s, Abdullah Eren u prit në takim nga Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të RMV-së, Darko Kostadinovski
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut, Darko Kostadinovski, zhvilloi një takim pune me delegacionin e kryesuar nga Kryetari i Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), z. Abdullah Eren.
Gjatë takimit u shpreh kënaqësia për mbështetjen e vazhdueshme që TİKA i ka ofruar Gjykatës Kushtetuese, ndërsa në veçanti u theksua kontributi i dhënë në procesin e digjitalizimit të institucionit përmes dhurimit të pajisjeve teknike. U vlerësua se kompjuterët dhe pajisjet për regjistrimin audio-vizual përbëjnë një ndihmë të rëndësishme për modernizimin e punës së gjykatës.
Gjithashtu, gjatë takimit u theksua se regjistrimi i seancave gjyqësore përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt rritjes së transparencës, forcimit të llogaridhënies dhe konsolidimit të besimit të qytetarëve ndaj institucionit.
Në takim u konfirmua gjithashtu vullneti i ndërsjellë për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit edhe gjatë vitit të ardhshëm. Në lidhje me këtë temë, u riktheksua se fokusi do të jetë në zhvillimin e kapaciteteve institucionale dhe në shkëmbimin e praktikave më të mira.

