Kryeministri Kurti priti në takim emisarin e BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen

Kryeministri Kurti priti në takim emisarin e BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendësministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, kanë pritur në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, transmeton Anadolu.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit, në takim u diskutua për zhvillimet në vend, për gjendjen e komuniteteve joshumicë, në veçanti të komunitetit joshumicë serb, dhe për rrugën drejt zbatimit të plotë të Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit.
Kryeministri e njoftoi emisarin Sorensen me mbështetjen financiare që i është dedikuar ndër vite komunave me shumicë serbe, me theks ato në veri të vendit, dhe me rezultatet e politikave të punësimit dhe hapjen e institucioneve të Kosovës në katër komunat në veri të vendit. Po, ashtu Kurti tha se nga prilli i vitit 2024, mbi 800 qytetarë të këtyre komunave kanë gjetur punë përmes programit qeveritar “Qeveria për Familjet” dhe mbi 430 biznese të reja janë regjistruar në po këto komuna nga 1 janari i vitit të kaluar.
Kryeministri gjithashtu e theksoi faktin se që prej dorëheqjeve kolektive të policëve serbë në veri të Kosovës në nëntor 2022, rreth 200 policë të rinj nga komuniteti joshumicë serb, tashmë i janë bashkuar Policisë së Kosovës dhe po i shërbejnë qytetarëve të vendit, pa dallim.
Në anën tjetër, kryeministri ngriti shqetësimin e tij me emisarin Sorensen në lidhje me deklaratat e vazhdueshme kërcënuese të krerëve të Serbisë ndaj Kosovës dhe arrestimet arbitrate të qytetarëve të Republikës së Kosovës gjatë udhëtimit tranzit përmes Serbisë nga autoritetet serbe, ndaj të cilëve kërkoi reagim të zëshëm dhe dënues nga komuniteti ndërkombëtar.
Emisari Sorensen, në një deklarim për media pas takimit me Kurtin, tha se për shkak të situatës aktuale politike në Kosovë, gjërat mund të marrin më shumë kohë për ecjen përpara në kuadër të procesit të dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel.
“Sapo pata takim me kryeministrin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani, jam këtu për shkak të mandatit tim, për të diskutuar se si ta implementojmë Marrëveshjen e Ohrit, sepse situata politike këtu nënkupton që gjërat mund të marrin më shumë kohë. Kështu që ky është një takim i rregullt”, ka thënë ai.
Emisari i BE-së u prit paraprakisht edhe nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

MARKETING